Fatma Bülbül
22 Tetor 2015•Përditësim: 22 Tetor 2015
ANKARA (AA) – Këshilli Kombëtar turk i Sigurisë ka theksuar vendosmërinë e Turqisë për të luftuar organizatat terroriste si rrjedhojë e sulmeve të fundit me bomba në Ankara, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas deklaratës zyrtare, të publikuar të mërkurën, Presidenti Recep Tayyip Erdoğan kryesoi takimin në pallatin presidencial në Ankara, ku në krye të axhendës ishin sulmet me bomba disa ditë më parë në një tubim paqësor, në të cilin humbën jetën 102 persona.
Këshilli theksoi “Vendosmërinë e Turqisë në luftën kundër organizatave terroriste dhe zgjerimin e saj”.
Këshilli theksoi se degët e PKK-së në Siri po ashtu duhet të përcaktohen si organizata terroriste në aspektin ndërkombëtar, duke shtuar se lufta kundër DAESH-it do të vazhdojë me vendosmëri.
PKK-ja, po ashtu e shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, rinovoi fushatën e saj të armatosur kundër shtetit turk gjatë kësaj vere.
Sipas deklaratës, kriza e refugjatëve gjithashtu është diskutuar dhe Këshilli i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkrete lidhur me këtë çështje.
Së paku 250.000 njerëz kanë humbur jetën që kur filloi lufta në Siri në vitin 2011, me 7.6 milionë të zhvendosur brenda vendit dhe mbi katër milionë kanë ikur në shtetet fqinje.
Këshilli po ashtu diskutoi masat e sigurisë kufitare, shkeljet e hapësirës ajrore, politikën e Rusisë dhe Iranit në Siri dhe veprimet e Izraelit në Jerusalem dhe në xhaminë Al-Aksa.