Sibel Uğurlu
28 Janar 2019•Përditësim: 29 Janar 2019
ERZURUM (AA) – Policia këtë fundjavë në lindje të Turqisë sekuestroi sasi rekorde prej 1,5 ton heroinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e guvernerit të provincës Erzurum njoftoi se policia ka kryer një operacion të suksesshëm dhe në një maune sekuestroi në total 1.535 kilogram heroin të pastër.
Droga ishte paketuar në 17 qese të fshehura midis pllakave të mermerit të cilat me maune transportoheshin nga Irani në Stamboll.
Siç theksohet në njoftim, ky është sekuestrimi më i madh i heroinës gjatë operacioneve policore në historinë moderne të Turqisë.
Janë arrestuar shoferi i maunës dhe dy të dyshuar të tjerë të cilët prisnin dërgesën në Stamboll.
Sipas raportit të fundit të Ministrisë së Brendshme të Turqisë, policia gjatë vitit të kaluar ka sekuestruar në total 17,3 ton drogë dhe ka arrestuar të paktën 1.500 persona të dyshuar për kontrabandim me mjete narkotike.