Halil Demir
16 Dhjetor 2021•Përditësim: 16 Dhjetor 2021
Forcat turke të sigurisë arrestuan 14 persona, përfshirë 13 shtetas të huaj, për lidhjet e tyre të dyshuara me grupin terrorist DEASH në Stamboll, theksuan sot burime të sigurisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ekipet e policisë anti-terroriste filluan një operacion për arrestimin e të dyshuarve, që besohet se ishin pjesë e grupeve që planifikonin sulme në emër të DEASH-it, theksuan burime anonime.
Në kuadër të hetimit, policia kreu bastisje paralele në 15 lokacione në nëntë lagje të metropolit.
Gjatë bastisjes u sekuestruan edhe materiale dixhitale dhe dokumente organizative.
Turqia ishte një nga vendet e para që e shpalli DEASH-in një grup terrorist.
Vendi që atëherë është sulmuar nga organizata disa herë. DEASH ka kryer të paktën 10 sulme vetëvrasëse, shtatë sulme me bomba dhe katër sulme të armatosura, duke vrarë 315 persona dhe duke plagosur qindra të tjerë.
Si përgjigje, Turqia nisi operacione antiterroriste brenda dhe jashtë vendit për të parandaluar sulme të mëtejshme.