Trump: Putini është "çmendur plotësisht"
Presidenti amerikan, Donald Trump tha se presidenti rus Vladimir Putin, të cilin e akuzoi për vrasjen e shumë njerëzve pa nevojë, është "çmendur plotësisht"

Stamboll
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se presidenti rus Vladimir Putin, të cilin e akuzoi për vrasjen e shumë njerëzve pa nevojë, është "çmendur plotësisht", transmeton Anadolu.
Trump kritikoi veprimet e Putinit pas sulmit të ushtrisë ruse ndaj Ukrainës dje në një postim që bëri në llogarinë e tij në rrjetin social "Truth Social".
Presidenti amerikan tha se ai dhe Putini kanë patur marrëdhënie shumë të mira për një kohë të gjatë. "Por, atij i ndodhi diçka. Ai është çmendur plotësisht. Po vret shumë njerëz pa nevojë", tha Trump.
Ai theksoi se Rusia e sulmoi Ukrainën me raketa dhe dronë "papritur". "Gjithmonë kam thënë se (Putini) dëshiron të gjithë Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj. Tani ndoshta kjo po bëhet realitet, por nëse ai e bën këtë, kjo do të çojë në rënien e Rusisë", shtoi Trump.
Trump kritikoi gjithashtu presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, duke thënë: "Presidenti Zelenskyy nuk po i bën asnjë nder vendit të tij duke folur në këtë mënyrë. Çdo gjë që del nga goja e tij krijon probleme. Nuk më pëlqen, më mirë ta ndalojë".
Trump argumentoi se lufta midis Rusisë dhe Ukrainës nuk do të kishte filluar nëse ai do të ishte president. "Kjo është lufta e Zelenskyt, Putinit dhe (ish-presidentit të SHBA-së, Joe) Biden. Unë thjesht po ndihmoj në shuarjen e këtyre zjarreve të mëdha dhe të shëmtuara që u nisën nga paaftësia dhe urrejtja", tha ai.
Ministri i Brendshëm ukrainas, Igor Klimenko tha se dje 12 persona u vranë dhe më shumë se 60 të tjerë u plagosën në sulmet e ushtrisë ruse ndaj Ukrainës me raketa dhe mjete ajrore pa pilot (UAV).
- Zelenskyy: Rusët nisën sulm me rreth 70 raketa dhe 300 dronë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy në një deklaratë me shkrim tha se ushtria ruse sulmoi vendin e tij me rreth 70 raketa dhe gati 300 dronë.
"Heshtja e SHBA-së, heshtja e të tjerëve në botë vetëm sa e trimëron Putinin", tha Zelenskyy.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.