Shpella e kripës, një mbetje e epokës hitite në Turqi
E vendosur afërsisht 20 kilometra nga qendra e qytetit Çankiri, shpella, me 24.000 metra katrorë hapësirë të mbyllur, tërheq kuriozitet me kafshë të ndryshme të taksidermuara dhe skulptura e vepra arti të shumta
Çankiri
Shpella në Çankiri, Turqi, ku është nxjerrë kripa që nga periudha hitite dhe e cila quhet "Qyteti Nëntokësorë i Kripës", u bë vendi më i vizituar në qytet në vitin 2025, raporton Anadolu.
E vendosur afërsisht 20 kilometra nga qendra e qytetit Çankiri, shpella, me 24.000 metra katrorë hapësirë të mbyllur, tërheq kuriozitet me gomarin e saj të ruajtur mirë, i cili vlerësohet të jetë 200 vjeç, si dhe me kafshë të ndryshme të taksidermuara dhe skulptura e vepra arti të shumta.
Shpella, e cila pret shumë vizitorë si pjesë e festivaleve të kripës të organizuara nga Bashkia Çankiri, është planifikuar të presë ngjarje për turizëm shëndetësor, aktivitete kulturore, artistike dhe sportive, si dhe ngjarje të tjera, përmes punës së vazhdueshme.
Kryebashkiaku i qytetit Çankiri, Ismail Hakki Esen, për Anadolu tha se viti 2025 ishte një vit i mirë për sa i përket vizitorëve.
Esen deklaroi se numri i vizitorëve në "Qytetin Nëntokësorë të Kripës" kaloi 1,5 milion në vitin 2024 dhe se ky numër po rritet çdo vit. "Këtë vit, arritëm në 1,8 milion vizitorë, duke shtuar 20 përqind. Pavarësisht se është dimër, Qyteti ynë Nëntokësorë i Kripës është ende i hapur. Do të ndërtojmë zona shtesë brenda, por nuk kemi qenë në gjendje të fillojmë ndërtimin për shkak të numrit të madh të vizitorëve. Shpresojmë që të rritet edhe më shumë vitin tjetër", tha ai.
Esen përmendi gjithashtu se vizitorët në përgjithësi vijnë nga provincat përreth, por tani kanë filluar të mbërrijnë edhe vizitorë ndërkombëtarë, duke vënë në dukje se shumë autobusë turistikë mbërrijnë, veçanërisht në fundjavë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
