İlker Girit
23 janar 2017•Përditësim: 24 janar 2017
STAMBOLL (AA) – Konsullja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Turqi, Jennifer L. Davis, deklaroi të hënën në Stamboll se marrëdhëniet e mira SHBA-Turqi përfshijnë në vete kërkesën për një Lindje të Mesme me stabilitet dhe demokratike, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë një fjalimi në mëngjesin e organizuar nga Asociacioni i Afaristëve Turko-Amerikanë (TABA-AmCham), në nder të emërimit të saj në Turqi, Davis theksoi se SHBA-të dhe Turqia kanë interesa të njëjta në rajon.
“Interesat tona të përbashkëta me Turqinë paraqesin stabilitet dhe demokraci”, tha ajo për të shtuar se politika e jashtme e SHBA-ve lidhur me këtë çështje, synon marrëdhënie konstruktive me Turqinë. “Pohimet se Amerika ka për qëllim të minoj interesat e Turqisë janë të pavërteta”, tha Davis.
Davis, e emëruar në postin aktual në fund të vitit 2016, shtoi më tej se SHBA-të dëshirojnë “një fillim të ri në rajon."
Ajo tha më tej se vendi i saj ka luajtur një rol proaktiv dhe konstruktiv lidhur me çështjet në Lindjen e Mesme, dhe si rrjedhojë, edhe në luftën kundër terrorizmit, duke shtuar se vullneti i mirë është goxha i rëndësishëm.
Kreu i TABA-AmCham, Bora Gurcay, vuri në dukje shpresën për marrëdhënie më të mira Turqi-SHBA gjatë drejtimit të presidencës nga Donald Trump.
“Trump është një biznesmen dhe ka investimet e tij edhe në Turqi. Unë shoh ngjashmëri në mënyrën e punës së presidentëve Recep Tayyip Erdogan dhe Trump, prandaj shpresoj që epoka e re të jetë pozitive për ne”, tha Gurcay.