Në aktivitetin "Türkiye Innovation Week 2025" do të diskutohet inteligjenca artificiale
Presidenti i TIM, Mustafa Gültepe tha se në përputhje me qëllimin për ta vendosur Turqinë midis 10 vendeve kryesore të eksportit, inovacioni nuk është më zgjedhje, por domosdoshmëri

Stamboll
Inteligjenca artificiale, një nga elementët më kritikë të teknologjisë dhe inovacionit, është zgjedhur si tema kryesore e Javës së Inovacionit në Turqi 2025 (Türkiye Innovation Week 2025 - TIW), e organizuar për të 12-tën herë nga Asambleja e Eksportuesve Turq (TIM), transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate nga TIM, TIW, i cilësuar si takimi më i madh i inovacionit në Turqi dhe rajonin përreth, ku Agjencia Anadolu (AA) është Partneri Global i Komunikimit, do të mbahet për të 12-tën herë në datat 9-11 tetor me mbështetjen e Ministrisë së Tregtisë dhe në organizimin nga TIM.
Aktiviteti i cili do të mbahet në Qendrën e Kongreseve "Haliç" me temën "Nesër: Tani" (Tomorrow:Now), ashtu si çdo vit pritet të mbahet me pjesëmarrjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan.
Në epokën ku inteligjenca artificiale po transformon çdo aspekt të jetës, nga prodhimi dhe ligji deri tek industria e mbrojtjes dhe arsimi, TIW në këtë aktivitet do ta adresojë këtë transformim në mënyrë shumëplanëshe. Në këtë periudhë kur njerëzit, kultura dhe modelet e biznesit po riformësohen, eventi do të bashkojë nën një vizion të përbashkët liderët e teknologjisë, sipërmarrësit, akademikët, studentët dhe përfaqësuesit publikë.
Presidenti i TIM, Mustafa Gültepe tha se në përputhje me qëllimin për ta vendosur Turqinë midis 10 vendeve kryesore të eksportit, inovacioni nuk është më zgjedhje, por domosdoshmëri.
"Nëse nuk i kombinojmë aftësitë tona të prodhimit me teknologjinë e përparuar dhe inteligjencën artificiale, do të mbetemi prapa në konkurrencën globale. Prandaj, ne si TIM e shohim inovacionin jo vetëm si zhvillim teknologjik, por si mënyrë të menduari dhe kulturë. Java e Inovacionit në Turqi 2025 është platforma më e fuqishme e kësaj qasjeje", tha Gültepe.
- Programe si "WINGS" synojnë të hapin rrugën për ide inovative biznesi dhe iniciativa krijuese
Sipas deklaratës, TIM i qaset inovacionit jo si një projekt, por si një ekosistem i tërë. Ai inkurajon inovacionin e korporatave me InovaLIG dhe forcon bashkëpunimet universitet-industri me programin InoSuit. Ai kultivon liderët e ardhshëm të inovacionit përmes rrjetit InovaTIM të fokusuar te të rinjtë dhe përhap kulturën e sipërmarrjes në bazë përmes shtëpive të startup-eve TIM-TEB.
Këtë vit, TIW synon të hapë rrugën për ide inovative biznesi dhe iniciativa krijuese përmes programeve si "WINGS". Zgjidhjet e zhvilluara nuk janë vetëm ide, ato synojnë t'i transformojnë ato në avantazhe konkurruese të prekshme në eksportet e Turqisë. Si rezultat i këtyre përpjekjeve, Turqia ka regjistruar rritje të jashtëzakonshme në Indeksin Global të Inovacionit në vitet e fundit. Kjo rritje tregon njohjen e kapacitetit ndërkombëtar të inovacionit të Turqisë dhe demonstron përparim të rëndësishëm drejt arritjes së qëllimeve strategjike të TIW.
Gjatë gjithë eventit, vizitorëve do t'u ofrohet përvojë shumëplanëshe me panele me folës të shumtë, klasa master, ekspozita inovative, zona përvoje dhe punëtori. Ndikimi transformues i inteligjencës artificiale do të diskutohet përmes studimeve të rasteve në fusha të shumta, nga prodhimi dhe industria e mbrojtjes deri tek arsimi dhe ligji. TIW do të ofrojë vizion që shkon përtej teknologjisë dhe përqendrohet në kulturën, njerëzit dhe mënyrat e reja të të bërit biznes.
Këtë vit, TIW nuk kufizohet vetëm në një ngjarje tre-ditore. Pas aktivitetit, do të krijohet një rrjet angazhimi dixhital njëvjeçar. TIW do të vazhdojë ndikimin e saj në median dixhitale me anketa, ndarje përmbajtjesh pjesëmarrëse dhe çmime surprizë në LinkedIn. Aktiviteti do të bashkojë nën një çati udhëheqësit e inovacionit, pionierët e sektorit, sipërmarrësit dhe studentët që po bëjnë ndryshim në botë dhe në Turqi.
- Suksesi u kurorëzua me çmime globale
Sipas informacionit të dhënë, TIW po tërheq vëmendjen edhe me çmimet prestigjioze që mori këtë vit.
Në "The Stevie Awards 2025", TIW u pa i denjë me çmim në çdo kategori për të cilën aplikoi. TIW u vlerësua me çmimet "GOLD-Conferences & Meetings (Convention)", "GOLD-Corporate & Community (B2C Event)" dhe "BRONZE-Corporate & Community (Community Engagement)".
Ajo mori tre çmime në çmimet Eventex: dy ari dhe një bronzi. Në këtë kontekst, TIW u nderua me çmimet "Public Event Gold", "Conference Gold" dhe "Community Engagement Event Bronze". Me këto çmime, TIW ka marrë 17 çmime deri më sot. Ky sukses përforcon rritjen e mëtejshme të aktivitetit çdo vit dhe rëndësinë e tij në botën e inovacionit.
Hyrja në event është falas, por kërkohet para-regjistrim në adresën "turkiyeinnovationweek.com".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.