Ilkay Guder
19 Maj 2016•Përditësim: 19 Maj 2016
ANKARA (AA) – Samiti Botëror Humanitar i cili do të jetë pikë kthese e rëndësishme në fushën e ndihmave humanitare do të sjellë në një vend mbi 70 krerë shtetesh dhe qeverish, shumë ministra dhe zyrtarë të lartë, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe institucioneve akademike, medias dhe sektorit privat dhe shoqëri të prekura nga krizat, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas deklaratës me shkrim nga Qendra Presidenciale për Media, Samiti Botëror Humanitar i cili organizohet nga Kombet e Bashkuara, do të mbahet më 23-24 maj në Stamboll të Turqisë.
Në samitin i cili për herë të parë do të ketë cilësi të këtillë, pritet që të marrin pjesë mbi 6 mijë përfaqësues.
Në kuadër të samitit do të organizohen seanca speciale dhe aktivitete anësore, ndërkohë që do të organizohet edhe një “Mbledhje Liderësh” e veçantë, me pjesëmarrjen e liderëve mysafirë.
- Presidenti Erdoğan do të zhvillojë takime dypalëshe-
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, do të zhvillojë takime dypalëshe me krerët e shteteve, qeverive dhe ministra që do të gjenden në Turqi me rastin e samitit.
Me rastin e samitit, më 21 maj do të organizohet edhe Forumi Akademik Ndërkombëtar.
- “Turqia është shteti donator më dorëhapur”-
Në deklaratën e Qendrës Presidenciale për Media, theksohet se, sipas të dhënave të OKB-së, Turqia radhitet si vendi që strehon më së shumti refugjatë në botë. Aty gjithashtu thuhet se Turqia ua ka zgjatur dorën e ndihmës të gjithë të dëmtuarve nga krizat e përhapura si luftërat e armatosura, katastrofat natyrore dhe sëmundjet epidemike
"Nëse shikohet me kujdes shkalla e ndihmave zyrtare humanitare sipas të ardhurave publike, Turqia është shteti donator më dorëhapur. Ajo ofron ndihma humanitare të synuara për parandalimin e krizave humanitare, ndërkohë që përzgjedhja e Turqisë si mikëpritëse e Samitit Botëror Humanitar është tregues se komuniteti ndërkombëtar e vlerëson diplomacinë humanitare e cila zhvillohet në vendin tonë", theksohet në deklaratë.