Muhammed Ali Toruntay,Merve Yıldızalp
06 Nëntor 2017•Përditësim: 07 Nëntor 2017
ANKARA (AA) - Asambleja e Bashkisë së Ankarasë ka zgjedhur kandidatin e Partisë për Zhvillim dhe Drejtësi (AK Parti) Mustafa Tuna për kryebashkiak të kryeqytetit të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Zgjedhja e kryetarit të bashkisë u organizua pas dorëheqjes së parakohshme të kryetarit Melih Gökçek, ndërsa në zgjedhje morën pjesë gjithsej 136 delegatë.
Tuna, ish-kryetari i Bashkisë së Sincanit, zonë e Ankarasë, u zgjodh me votën e 104 delegatëve të asamblesë. Pas votimit, komisioni konfimroi se 29 delegatë kanë dorëzuar fletëvotime të paplotësuara, kurse tre vota kanë qenë të pavlefshme.
Pas zgjedhjes, Tuna falënderoi delegatët për besimin e tyre, si dhe partinë me në krye kryetarin e saj Recep Tayyip Erdoğan.
"Do të përpiqem ta justifikoj besimin. Për një jetë më të mirë në Ankara na duhet bashkësi, ndërsa unë jam i bindur për suksesin tonë. Ndershmëria, transparenca dhe drejtësia janë filozofia jonë themelore e punës. Askush nuk do të ketë pozicion të privilegjuar, e askush nuk do të dëmtohet", tha kryebashkiaku i ri i Ankarasë, Mustafa Tuna.