Diyar Güldoğan
08 Mars 2018•Përditësim: 08 Mars 2018
ANKARA (AA) – Përditësimi i softuerit parandalon cenueshmërinë nga aspekti i sigurisë, deklaroi zëvendës drejtori i Microsoft Turqi, Murat Yilmaz, raporton Anadolu Agency (AA).
"Nëse nuk përditësoni softuerin, kjo do të shkaktojë pasiguri. Ne në Microsoft, kemi zhvilluar softuerë të cilët përditësohen në mënyrën më të sigurt të mundshme. Nëse e bëni një gjë të tillë, ju në mënyrë automatike mbroni veten tuaj (nga virusët dhe të çarat në fushën e sigurisë kompjuterike)", tha Yilmaz në prononcimin e tij për gazetarët.
Sipas tij, shkalla e mospërditësimit të softuerit në institucionet publike të Turqisë është mbi 90 për qind, ndërkohë që shkalla e përdorimit të mekanizmit të përditësimit tek qytetarët e Turqisë është vetëm 60 për qind.
Yilmaz thotë se versioni i përditësuar është i një rëndësie të madhe, meqë sipas tij, versioni i vjetër i prodhuar pesë vite më parë, ka dështuar t'u bëjë ballë sfidave aktuale të sigurisë kibernetike.
Në fund, ai tha se Microsofti ka një qendër për mbrojtje kibernetike për të mbrojtur teknologjitë “Cloud”, ku ekipet në këto qendra kontrollojnë 200 miliardë e-maile, 300 miliardë identitete personale dhe mbi një miliard pajisje në muaj.