Fahri Aksüt
28 Nëntor 2019•Përditësim: 29 Nëntor 2019
Turqia është anëtare e fortë e NATO-s me ushtrinë e saj të dytë më të madhe dhe dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE) si anëtare e plotë, tha të mërkurën zëdhënësi i presidentit turk, İbrahim Kalın, raporton Anadolu Agency (AA).
"Aleatët duhet të marrin seriozisht kërcënimet kundër sigurisë kombëtare të Turqisë dhe të punojnë në partneritet për t'i kapërcyer ato", tha ai në një program në Berlin të bashkë-organizuar nga Forumi i Politikës së Jashtme në Berlin dhe Fondacioni Korber.
Kalın gjithashtu theksoi vendosmërinë e Turqisë në luftën kundër terrorizmit.
"Ne nuk duam të shohim që ndonjë element terrorist të marrë nën kontroll një copë tokë, të sundojë popullin në Siri, qoftë PKK/YPG, DEASH, Al-Kaeda ose ndonjë grup tjetër", tha ai.
Turqia më 9 tetor nisi operacionin "Burimi i Paqes" për të eliminuar terroristët e YPG/PKK-së nga veriu i Sirisë në lindje të lumit Eufrat në mënyrë që të sigurojë kufijtë e Turqisë, të ndihmojë në kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe të sigurojë integritetin territorial të Sirisë.
Ankaraja dëshiron që terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqen nga rajoni në mënyrë që të mund të krijohet një zonë e sigurtë për të hapur rrugën për kthimin e sigurtë të 2 milionë refugjatëve.
Sipas dy marrëveshjeve të ndara me SHBA-të dhe Rusinë, Turqia pauzoi operacionin për të lejuar tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga zona e planifikuar në veri të Sirisë.
Megjithatë, terroristët nuk janë tërhequr nga disa zona dhe vazhdojnë të sulmojnë ushtarët dhe civilët.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK - e renditur si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.