Tevfik Durul
22 Qershor 2017•Përditësim: 23 Qershor 2017
TOKIO (AA) – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu tha se “Presim që në Konferencën për Qipron, e cila do të mbahet më 28 qershor në Gjenevë të arrihet në një rezultat përfundimtar”, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Japoni, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me marrëdhëniet Turqi-Japoni, krizën mes disa vendeve arabe dhe Katarit dhe negociatat për Qipron.
Duke u shprehur se kryeministri i Japonisë Shinzo Abe ka dhënë një përkrahje të fuqishme për Turqinë pas tentativës së grusht shtetit të vitit të kaluar nga organizata terroriste FETO, Çavuşoğlu tha se “Aktivitetet e FETO-s në Japoni janë ende duke vazhduar. Ne gjatë takimeve nxorëm në pah se sa e rrezikshme mund të jetë kjo organizatë terroriste edhe për Japoninë".
Çavuşoğlu bëri të ditur se po vazhdojnë bisedimet për marrëveshjen e partneritetit ekonomik me Japoninë dhe që po punojnë lidhur me marrëveshjen e sigurisë reciproke sociale për t’i rritur investimet e Japonisë në Turqi.
Duke theksuar se këto dy shtete kanë një miqësi të përafërt për shkak të lidhjeve historike në mes të popujve të të dy shteteve, Çavuşoğlu tha se “Ne duhet ta sjellim edhe tregtinë tonë në nivel të përshtatshëm me këtë”.
Kriza në Katar dhe negociatat për Qipron
Kreu i diplomacisë turke, duke rikujtuar se Turqia po bën përpjekje të mëdha për tejkalimin e krizës në Katar dhe se po luan një rol ndërmjetësues duke zhvilluar vizita në shtetet e Gjirit, tha se po zhvillojnë një komunikim të dendur të politikës së jashtme për zgjidhjen e kësaj krize."
Kurse lidhur me zgjidhjen e problemit të Qipros, ai tha se “Janë për gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë, të përhershme dhe e cila bazohet në barazinë politike” dhe se “Shpresojnë që në konferencën për Qipron, e cila do të mbahet më 28 qershor në Gjenevë të arrihet në një rezultat përfundimtar”.
Çavuşoğlu është ministri i Jashtëm i parë i Turqisë i cili pas 14 vitesh zhvillon vizitë zyrtare në Japoni. Ai pritet ta përfundojë vizitën e tij pas takimit me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe të Industrisë së Japonisë, Hiroshige Seko.