Muhammet Tarhan
24 Dhjetor 2021•Përditësim: 25 Dhjetor 2021
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se vendi i tij po ndjek një "politikë të jashtme realiste" të bazuar në epërsinë e nismës diplomatike mbi një gjeografi të gjerë, transmeton Anadolu Aency (AA).
"Ne kemi një qasje proaktive ndaj diplomacisë, jo reaktive, pa i lënë ngjarjet të na sundojnë neve", tha Çavuşoğlu përmes video-konferencës në ceremoninë e mbylljes së Akademisë së Sigurisë Ndërkombëtare të organizuar nga Shoqata e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Çavuşoğlu theksoi se mjedisi global i sigurisë po kthehet gjithnjë e më i brishtë.
"Pas Luftës së Ftohtë, konkurrenca e fuqive të mëdha po nxit tensione në rajone të ndryshme si në Ukrainë, Ballkan, Detin e Zi, Tajvan dhe Detin e Kinës Jugore. Efektet e sfidave relativisht moderne si ndryshimet klimatike, terrorizmi, sulmet kibernetike, migrimi i parregullt dhe pandemia po ndihen kudo", tha Çavuşoğlu.
Ai theksoi se në mjedisin aktual të ndryshimeve të shpejta, një nga pikat më të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare që ka mbetur konstante, është rendi ndërkombëtar i vendosur pas Luftës së Dytë Botërore.
"Derisa përditësimet e softuerit vijnë në pajisjet tona celulare çdo disa javë, fakti që sistemi ndërkombëtar nuk është përditësuar për 80 vjet e bën të vështirë sistemin për të gjetur zgjidhje për problemet, veçanërisht OKB-në", tha ai.
Çavuşoğlu theksoi se në ditët e para të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) "nevoja për multilateralizëm" u shfaq përsëri.
"Nuk mund të themi se vitin e fundit është mbuluar një distancë e konsiderueshme në këtë rrugë. Megjithatë, shohim që koncepte si multilateralizmi dhe solidariteti dalin në plan të parë, të paktën në nivelin e diskursit", u shpreh ai.
- Rusia, Ukraina dhe marrëdhëniet e NATO-s
Më tej, kryediplomati turk tha se sot rivaliteti mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe i Rusisë dhe NATO-s ka arritur në nivele "të rrezikshme".
"Ne nuk do të injorojmë parimet tona dhe marrëdhëniet e ngushta me Ukrainën, sepse kemi marrëdhënie të zgjeruara me Rusinë. Në shumë ekuacioni të vështira si kjo, ne po bëjmë gjithçka që kërkon fryma e kohës dhe siguria jonë kombëtare. Është punë e vështirë, por kjo është ajo që diplomacia është", tha Çavuşoğlu.
Në vitin 2014, Rusia filloi të mbështesë forcat separatiste në Ukrainën lindore kundër qeverisë qendrore, një politikë që Rusia e ka praktikuar gjatë shtatë viteve të fundit.
Për herë të dytë këtë vit, muajin e kaluar u raportua se Moska përqendroi trupa ushtarake brenda dhe rreth Ukrainës.
NATO dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë paralajmëruar Rusinë se nëse ajo tregon një qëndrim agresiv ndaj Ukrainës ajo do të përballet me një përgjigje serioze dhe sanksione të rënda.
Çavuşoğlu, më tej, tha se NATO po ashtu ka pësuar një transformim, duke theksuar se ajo po përpiqet të përshtatet me zhvillimet e reja dhe se fokusi është në forcimin e dimensionit politik në procesin e NATO-s 2030.
Ai theksoi se Turqia, si vendi me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe si kontribues i pestë më i madh në operacionet dhe misionet e aleancës, luan një rol aktiv në këto përpjekje.
"Ka përpjekje nga disa vende për ta paraqitur BE-në si një alternativë ndaj NATO-s. Kjo nuk është konstruktive dhe është jorealiste. Pandashmëria e sigurisë trans-atlantike është parimi ynë themelor", u shpreh kryediplomati turk.