Servet Günerigök
16 Qershor 2016•Përditësim: 16 Qershor 2016
BRUKSEL (AA) – Turqisë i ka mbetur përmbushja e vetëm shtatë kushteve në mënyrë që të përmbyllë marrëveshjen me BE-në në pjesën e heqjes së vizave, deklaroi të mërkurën një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë për mediat në Bruksel, komisioneri për Migrimin dhe Punët e Brendshme, Dimitris Avramopoulos tha se 65 nga gjithsej 72 kritere që i ishin parashtruar Turqisë janë përmbushur, por ai tha se përpjekjet e autoriteteve turke duhet të vazhdojnë.
“Turqia është zotuar të përmbushë pjesën e mbetur të kritereve që kanë të bëjnë me heqjen e vizave për shtetasit e Turqisë. Presim që Turqia të përmbushë zotimin”, tha Avramopoulos për të shtuar se data e heqjes së vizave varët nga Turqia.
"Bashkimi Evropian ka nevojë për Turqinë dhe Turqisë i nevojitet Bashkimi Evropian”, shtoi ai më tej. Zyrtari i BE-së theksoi se numri i refugjatëve të cilët synojnë Evropën ka rënë dukshëm pas 13 majit.