Burcu Çalık Göçümlü,Cankut Taşdan
19 Nëntor 2021•Përditësim: 19 Nëntor 2021
Një shpërthim në orët e para të ditës së sotme në një ndërtesë apartamentesh në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, ka lënë të vdekur dy persona, kurse katër të tjerë janë lënduar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur me gazetarët në vendin e ngjarjes në rrethin Keçiören, guvernatori i Ankarasë Vasip Şahin tha se një fëmijë dhe babai i tij humbën jetën nga shpërthimi, i cili shkaktoi shembjen e një pjese të ndërtesës.
Sipas vlerësimeve të para, shpërthimi besohet të jetë shkaktuar nga shpërthimi i gazit, megjithatë, autoritetet kanë nisur hetim për incidentin.
"Shpresojmë që askush të mos jetë nën rrënoja, por hetimet po vazhdojnë duke vlerësuar të gjitha mundësitë. Fatkeqësisht, morëm informacion se babai dhe fëmija i vogël i një familje turkmene irakiane kanë vdekur", tha Şahin.
Şahin tha se dy shtetas turq, një familje turkmene irakiane dhe një familje afgane jetonin në ndërtesë dhe familja afgane nuk ishte në shtëpi kur ndodhi shpërthimi.
"Në ndërtesë ka edhe sistem gazi natyror edhe LPG. Se cili është shkaku i shpërthimit do të përcaktohet vetëm pas shqyrtimit teknik", shtoi ai.