Zehra Tekeci Eser
03 Nëntor 2025•Përditësim: 03 Nëntor 2025
Edicioni i 28-të i programit të trajnimit për gazetarinë e luftës, i organizuar bashkërisht nga Anadolu, Akademia Turke e Policisë dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), filloi të hënën për të trajnuar korrespondentët për raportimin në zona lufte, fatkeqësi dhe emergjenca, raporton Anadolu.
Një ceremoni u mbajt në kampusin Golbasi të Akademisë së Policisë në Ankara për të shënuar fillimin e semestrit të ri, i cili do të zgjasë deri më 14 nëntor. Duke folur në këtë aktivitet, zëvendëspresidenti i Akademisë së Policisë, Fatih Inal tha se gratë, fëmijët dhe civilët e paarmatosur janë viktimat më të mëdha të luftës.
Duke tërhequr vëmendjen te mizoritë e vazhdueshme në Gaza, Inal tha se më shumë se 250 gazetarë janë vrarë ndërsa "ndjekin të vërtetën dhe raportojnë faktet, shumë prej tyre të synuar qëllimisht".
"I dënoj ata që kryejnë këtë shtypje, që vrasin fëmijë, gra dhe gazetarë të pafajshëm. Shpresojmë të mos ketë më luftëra. Ashtu si fëmijët dhe gratë nuk duhet të derdhin më lot. Shpresojmë që kolegët tanë gazetarë të japin vetëm lajme të mira".
Inal nënvizoi se programi synon t'i pajisë gazetarët me aftësi mbijetese dhe t'ua lehtësojë punën në kushte të vështira, duke vënë në dukje se sfidat nuk kufizohen vetëm në zonat e konfliktit.
"Përmes trajnimit, pjesëmarrësit do të mësojnë se si të veprojnë në mënyrë të sigurt në këto mjedise dhe të mbrojnë veten", tha ai duke shtuar se programi është kërkues dhe mbetet trajnimi i vetëm i çertifikuar në botë i këtij lloji.
Inal shtoi se kursi do të ofrojë trajnim intensiv, përfshirë drejtimin e avancuar të automjeteve, navigimin në hartë, trajtimin e kërcënimeve me eksploziv, mbijetesën në ujë dhe natyrë, sigurimin e ushqimit, ndërtimin e strehimoreve, lëvizjen e natës në distanca të gjata dhe reagimin ndaj skenarëve të rrëmbimit.
Kreu i marrëdhënieve me jashtë dhe partneriteteve të TIKA-s, Ugur Tanyeli tha se ata po mbajnë trajnimin e fundit të raportimit të luftës për këtë vit, me fokusin e këtij semestri te gazetarët nga rajoni frankofon i Afrikës. Ai theksoi angazhimin e TIKA-s për të investuar në kapitalin njerëzor në vendet mike.
Ai e quajti Gazën "tragjedinë më të madhe të viteve të fundit" dhe "varrezën më të madhe në botë për gazetarët".
Drejtoresha e Akademisë AA, Zeynep Bayramoglu Ozturk tha se ata kanë përfunduar 27 semestra të trajnimit të korrespondentëve të luftës, me qëllim mbështetjen e gazetarëve që punojnë në zonat e krizës. Ajo tha se që nga themelimi i saj në vitin 2012, Akademia AA ka mbajtur 382 trajnime për mbi 16 mijë gazetarë, duke e përditësuar vazhdimisht programin.
Një total prej 24 praktikantësh po marrin pjesë në këtë trajnim, përfshirë nëntë anëtarë të stafit të Anadolu-t dhe gazetarë nga Xhibuti, Tunizia, Senegali, Nigeri, Kameruni, Republika Demokratike e Kongos, Gaboni, Çadi dhe Guinea.