Yunus Kaymaz
20 Prill 2018•Përditësim: 20 Prill 2018
STAMBOLL (AA) - Trajneri i klubit anglez Arsenal, Arsene Wenger, njoftoi se do të largohet nga detyra në këtë klub në fund të sezonit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Trajneri francez, i cili ka menaxhuar Arsenalin nga 1 tetori i vitit 1996, ka thënë se fundi i sezonit do të jetë koha e duhur për ta braktisur detyrën e drejtorit teknik pas "vlerësimeve të hollësishme dhe bisedimeve me kryesinë e klubit", njoftohet në faqen zyrtare të Arsenalit.
Wenger ka theksuar se ka kaluar vite të paharrueshme me Arsenalin, duke falënderuar punonjësit e klubit, futbollistët, kryesinë dhe tifozët.
Me ekipin londinez Wenger ka fituar tre herë titullin e Premier Ligës angleze dhe shtatë herë Kupën e Federatës (FA).
Arsenali nën drejtimin e Wengerit aktualisht gjendet në vendin e gjashtë në ligë, kurse ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Evropës së UEFA-së.