Can Erözden
09 Dhjetor 2020•Përditësim: 09 Dhjetor 2020
Organi drejtues i futbollit në Evropë u zotua të martën vonë të nisë një hetim intensiv mbi incidentin e dyshuar racist gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve midis Paris Saint-Germain (PSG) dhe Medipol Başakşehir, transmeton Anadolu Agency (AA).
"UEFA është në dijeni të incidentit gjatë ndeshjes në Ligën e Kampionëve midis Paris Saint-Germain dhe Istanbul Başakşehir dhe do të kryejë hetim të plotë", tha UEFA në Twitter.
"Racizmi, diskriminimi në të gjitha format e tij, nuk ka vend brenda futbollit", thuhet më tej.
Ndeshja e së martës në terrenin e PSG-së në stadiumin "Parc des Princes" në Paris është shtyrë pas një fyerje raciste që i drejtohej ndihmës menaxherit të klubit turk, shtetasit të Kamerunit, Pierre Webo.
Në minutën e 17-të, Webo debatoi me gjyqtarin e ndeshjes për një çështje.
Por, zyrtari i katërt i tha gjyqtarit që të largonte Webo dhe atij iu dha kartoni i kuq.
Webo tha se zyrtari, Sebastian Coltescu nga Rumania, ka përdorur një term racist kur e identifikoi atë.
Skuadra turke u drejtua për në dhomën e zhveshjes në shenjë proteste kundër Coltescu dhe refuzoi të kthehej në fushë për të luajtur ndeshjen nëse Coltescu qëndronte në terren si arbitër.
Ndërkohë, kryetari i Başakşehir, Goksel Gumusdag tha se Coltescu u shkarkua nga detyra e tij për këtë ndeshje për fyerjet e tij.
Drejtori i përgjithshëm i Başakşehir, Mustafa Erogut tha se ndeshja do të riluhet sonte në mbrëmje dhe të katër zyrtarët e ndeshjes do të ndryshohen.
UEFA gjithashtu konfirmoi se pjesa tjetër e ndeshjes do të luhet sonte "me një ekip të ri të zyrtarëve të ndeshjes".
Arbitri holandez, Danny Makkelie do të gjykojë ndeshjen e sontme në Paris. Ndihmësit e tij do të jenë Mario Diks nga Holanda dhe polaku Marcin Boniek. Zyrtari i katërt do të jetë Bartosz Frankowski nga Polonia.
Ndeshja do të rinisë në orën 18:55 sipas kohës lokale.
Para ndërprerjes së ndeshjes, rezultati ishte 0:0.
PSG dënon racizmin
Pas incidentit, Paris Saint-Germain kritikoi racizmin dhe diskriminimin në futboll.
"Të gjitha format e racizmit janë në kundërshtim me vlerat e Paris Saint-Germain, kryetarit të klubit, stafit dhe lojtarëve", shkroi PSG në Twitter.
Lojtarët e PSG, Kylian Mbappe dhe Presnel Kimpembe thanë se mbështesin Webo-n.
Ylli francez Mbappe shkroi në Twitter: "Thuaj jo racizmit. M.Webo ne jemi me ju", ndërsa mbrojtësi 25-vjeçar francez Kimpembe shkroi, duke thënë "Jo racizmit".
Paris Saint-Germain gjithashtu shpërndau postimin e Başakşehir në të cilën klubi turk ndau moton e fushatës së UEFA-s "Jo racizmit" në shenjë proteste kundër Coltescu.
Politika e UEFA-s për të eliminuar elementet raciste nga loja
Racizmi është ende një nga problemet kryesore globale në sport, si FIFA ashtu dhe UEFA kanë luftuar kundër tij.
Në vitet e fundit, UEFA publikoi një video për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me racizmin. Disa yje të futbollit si Cristiano Ronaldo, Lionel Messi dhe Zlatan Ibrahimoviç u bashkuan me fushatën "Jo racizmit".