Övünç Kutlu
11 Shtator 2017•Përditësim: 12 Shtator 2017
NEW YORK (AA) - Rafael Nadal është shpallur kampion i turneut të fundit Grand Slam në tenis për këtë sezon në kategorinë për meshkuj, raporton Anadolu Agency (AA).
Në finalen e turneut që organizohet në New York, spanjolli Rafael Nadal, aktualisht i pari në radhitjen botërore, u përball me tenistin e 28-të në botë, jugoafrikanin Kevin Anderson.
Nadal u shpall kampion duke e mposhtur kundërshtarin me rezultatin 6-3, 6-3 dhe 6-4 dhe në këtë mënyrë fitoi për herë të tretë në karrierën e tij trofeun e US Openit.
Ky është trofeu i dytë Grand Slam i Nadalit në këtë sezon, pas fitores në French Open në muajin qershor, ndërsa i 16-i në karrierën e tij.
Me shpalljen kampion, 31-vjeçari Nadal fiton shpërblim prej 3,7 milionë dollarësh. Ai përgëzoi kundërshtarin e tij Anderson, i cili arriti të ngjitet deri në finale edhe përkundër lëndimeve në këtë vit.
Nadal tha se edhe ai personalisht është përballur me lëndime viteve të fundit dhe se fitorja në US Open i ka dhënë energji. Ai falënderoi xhaxhain e tij, i cili e ka trajnuar në tenis që nga mosha trevjeçare.
"Është sadopak që ta falënderoj atë. Një njeri si ai, gjithnjë vazhdon të më mbështesë. Ai me të vërtetë është njeri i fortë dhe ka motivacion të lartë", tha Nadal.
Nadal ka shprehur ngushëllime për viktimat nga tërmeti prej 8.1 ballësh që goditi Meksikën të premten dhe ato të uraganeve Harvey dhe Irma në SHBA. "Është koha të jemi të fortë", theksoi Nadal.