Sena Güler
05 Shkurt 2018•Përditësim: 05 Shkurt 2018
ANKARA (AA) – Kreu i Qendrës Kulturore Koreane në Ankara, Dong Woo Cho, tha se pjesëmarrja e Koresë së Veriut dhe Jugut në Olimpiadën Dimërore 2018 si një ekip i unifikuar i jep asaj kuptimin e paqes.
Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Cho theksoi rëndësinë e Olimpiadës së këtij viti. Lojërat Olimpike Dimërore 2018 do të zhvillohen nga 9 deri më 25 shkurt në krahinën PyeongChang të Koresë së Jugut.
“Ka tension midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut. Por, pjesëmarrja e tyre në lojëra si një ekip, i jep asaj një kuptim të paqes”, tha Cho.
Të dy palët në muajin janar ranë dakord për të formuar një ekip të unifikuar në hokej të grave në PyeongChang 2018 në Korenë e Jugut. Kjo do të jetë hera e parë që Koretë do të garojnë së bashku në një ngjarje olimpike.
Më tej, duke theksuar se tetë atletë turq do të konkurrojnë në katër fusha në lojë, Cho shprehu dëshirën që populli turk të tregonte interes për lojërat olimpike.
Duke vënë në dukje se Turqia dhe Koreja e Jugut festuan 60 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, ai shtoi se edhe pse të dy vendet ishin gjeografikisht larg njëri-tjetrit, Turqia dhe Koreja e Jugut gëzonin lidhje historike dhe ngjashmëri kulturore.
Qendra Kulturore Koreane
Qendra Kulturore Koreane, e themeluar në vitin 2011 në kryeqytetin Ankara, synon të promovojë kulturën koreane në Turqi. Qendra ofron falas kurse kulturore, duke përfshirë instrumentet tradicionale Gayageum, kaligrafi koreane, taekwondo dhe kurse të gjuhës koreane.
Qendra poashtu ndihmon studentët të marrin informacion nëpërmjet seminareve rreth universiteteve në Korenë e Jugut dhe mënyrat për të marrë një arsim atje.
Sipas të dhënave të ofruara nga qendra, gjithsej 10.932 persona morën pjesë në këto kurse në vitin 2017, ndërsa ngjarjet u ndoqën nga mbi 63 mijë njerëz.
“Ne besojmë se kultura është e rëndësishme mes popujve të dy shteteve. Mendojmë se duhet të përmirësohet në mënyrë të ndërsjellë. Ne jemi të lumtur të shohim se ka një interes të madh për kulturën koreane në Turqi”, tha kreu i qendrës, Dong Woo Cho.