Riyaz ul Khaliq
08 Maj 2019•Përditësim: 08 Maj 2019
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka mbështetur Korenë e Jugut për të dërguar ndihmë ushqimore në Korenë e Veriut që t’i lehtësojë mungesat e saj ushqimore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nga zyra e presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, njoftuan se presidenti amerikan shprehu mbështetjen e tij për ndihmën humanitare gjatë thirrjes së tij telefonike 35-minutëshe me presidentin koreano-jugor, ku diskutuan për kthimin e Koresë së Veriut në tryezën e bisedimeve.
“Dy udhëheqësit shkëmbyen pikëpamjet mbi vlerësimin e sigurisë ushqimore të Koresë së Veriut nga Programi Botëror i Ushqimit dhe Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë. Trump tha se furnizimi humanitar i ushqimit i Koresë së Jugut për popullin e Koresë së Veriut do të ishte një veprim shumë i duhur dhe pozitiv”, tha zyra e presidentit koreano-jugor.
Raporti i vlerësimit të sigurisë ushqimore thotë se rreth 40 për qind e popullsisë në Korenë e Veriut kishte nevojë urgjente për ndihmë ushqimore. Vendi ka pësuar prodhimet më të këqija në këtë dekadë.
Zëdhënësja presidenciale e Koresë së Jugut, Ko Min-jung, tha se të dy krerët diskutuan se si të parandalojnë Korenë e Veriut që mos të shmang rrugën e dialogut për denuklearizimin dhe si të rifillojnë dialogun sa më shpejtë të jetë e mundur.
Po ashtu edhe Shtëpia e Bardhë tha se të dy krerët diskutuan mbi zhvillimet e fundit në Korenë e Veriut dhe mënyrat për të arritur denuklearizimin përfundimtar dhe plotësisht të verifikuar.
“Moon i tha Trump-it, ai nuk beson se lëshimi i raketave ishte një provokim dhe se kjo lëvizje nuk duhet të konsiderohet si një bazë për të prishur bisedimet”, raportoi e përditshmja Chosunilbo e bazuar në Seul.
Sanksionet teknikisht nuk ndalojnë dhënien e ndihmës humanitare për Phenianin, por Washingtoni ka kundërshtuar një ndihmë të tillë, duke pasur frikë se kjo do të minonte regjimin e sanksioneve globale dhe kështu do të inkurajonte Phenianin për të anashkaluar shqetësimet bërthamore.