Muhammed Emin Canik
08 Maj 2019•Përditësim: 09 Maj 2019
Mijëra admirues së figurës së ish-Zonjës së Parë të Argjentinës, Eva Peron, marshuan rrugëve të Buenos Airesit të martën, për të shënuar 100-vjetorin e lindjes së saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Nën flamurin me mbishkrimin: "Pishtarët barten”, qytetarët e shumtë marshuan rrugëve kryesore të kryeqytetit të Argjentinës.
Disa nga admiruesit e jetës dhe veprës së Eva Peronit mbanin në duar pishtarë të ndezur dhe kështu parakaluan nëpër rrugët e Buenos Airesit të shoqëruar nga performanca e një grupi muzikor.
Eva Peron ishte gruaja e ish-presidentit të Argjentinës, Juan Domingo Peron.
E lindur më 7 maj të vitit 1919, në Los Toldos të Buenos, ajo fitoi dashurinë e opinionit vendor falë aktiviteteve të shumta politike, sociale dhe sindikaliste, gjatë kohës së presidencës së burrit të saj, Juan Domingo Peron.
Një nga arritjet më të mëdha të Evas në politikë, ishte arritja e të drejtës së gruas për të votuar dhe për të mbajtur post politik.
Ajo gjithashtu krijoi edhe projekte të shumta sociale, ndërsa me fondacionin Eva Peron, i themeluar në vitin 1948, u ndërtuan strehimore, shkolla dhe azile për të moshuarit dhe të vejat.
Fondacioni përfundoi aktivitetet e saj në vitin 1955.
Eva Peron vdiq nga kanceri në vitin 1952, në moshën 33 vjeçare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë politike të Argjentinës.