Bedrudin Brlyavac
04 nëntor 2015•Përditësim: 04 nëntor 2015
ZENICË (AA) - Dhjetra tifozë të flaktë të Bosnjë e Hercegovinës që nga mbrëmja e kaluar kanë zënë vendet para stadiumit "Bilino Polje" në Zenicë për të pritur fillimin zyrtar të shitjes së biletave për ndeshjen e barazhit ndërmjet Bosnjë e Hercegovinës dhe Irlandës. Ndeshja do të luhet më 13 nëntor, dhe që është e vlefshme për kualifikim në evropianin "Francë 2016", raporton Anadolu Agency (AA).
"Erdha në ora 10.30 që të zë vendin në mënyrë që bashkë me kolegët të presim fillimin e shitjes. Shpresoj të jem i pari që merr biletën, pasi edhe ashtu jam invalid i luftës", tha Mirsad Kovaç.
Nata e kaluar ka qenë shumë e ftohtë në Zenicë, me temperaturë 3 gradë, por kjo nuk ka penguar tifozët.
"Është ftohtë, por do ta përballoj. Nuk do ta kem të vështirë të pres mëngjesin", shton Kovaç.
Pronari i kafeterisë afër stadiumit, Idriz Demiri, konfirmoi tregimin e folësit të mëparshëm.
"Erdhi në ora 10 ose 10.30, dhe vendosi karriken duke pritur që të merr biletë për ndeshjen. Unë jam këtu tërë ditën dhe vërtëtë nuk ka arsye pse të mos e flet të vërtetën", tha Demiri.
Shumë tifozë të kombëtares së BeH-së e kaluan natën të ulur në karrike dhe të mbuluar me batanije për të përballur të ftohtin, ndërsa kishte të tillë që kishin marrë edhe televizorë, për siç thanë, nata t'u kalojë më shpejtë.