Can Erözden
15 Qershor 2023•Përditësim: 16 Qershor 2023
Superylli i Paris Saint-Germain (PSG), Kylian Mbappe të martën mohoi zërat për kalimin e tij në Real Madrid këtë verë, transmeton Anadolu.
"Gënjeshtra. Në të njëjtën kohë, sa më e madhe të jetë gënjeshtra, aq më shumë besojnë. Tashmë e kam thënë se sezonin e ardhshëm do të vazhdoj te PSG, ku jam shumë i lumtur", ka shkruar Mbappe në Twitter.
Sulmuesi 24-vjeçar francez Mbappe, iu bashkua PSG-së nga Monaco në vitin 2018 pas huazimit për një sezon në klubin e Parisit. Në vitin 2022, Mbappe zgjati kontratën e tij me PSG-në deri në vitin 2025, pasi ai ishte shumë i lidhur me Real Madridin në sezonin 2021-2022.
Më herët të martën, e përditshmja franceze "Le Parisien" pretendoi se Mbappe dëshiron t'i bashkohet Real Madridit këtë verë pas largimit të bashkëkombasit të tij, Karim Benzema.
Javën e kaluar, sulmuesi 35-vjeçar Benzema i dha lamtumirën e tij Real Madridit duke u transferuar në klubin saudit Al-Ittihad. Mbappe është një nga lojtarët kyç të Francës dhe PSG-së pasi ai ndihmoi Les Bleus të fitojë Kupën e Botës FIFA 2018.
Ai ka fituar gjashtë herë kampionatin francez, prej të cilave një me Monacon në 2017 dhe të tjerat me PSG-në. Mbappe shënoi 212 gola në 260 paraqitje duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i PSG-së, dhe duke kaluar sulmuesin uruguaian Edinson Cavani, i cili tani është lojtar i Valencias.