Hüseyin Burak Demirer
12 Nëntor 2020•Përditësim: 13 Nëntor 2020
Futbollisti legjendar argjentinas, Diego Maradona, është liruar nga spitali 8 ditë pas operacionit në tru, transmeton Anadolu Agency (AA).
Maradona, i cili u operua në tru për shkak të gjakderdhjes subdurale (në sipërfaqen e trurit), u lirua nga klinika Olivos ku qëndronte.
Mjeku i Maradona-s, Leopoldo Luque, tha se procesi i shërimit të ish-futbollistit 60-vjeçar do të vazhdojë në shtëpi, ndërsa gjatë kësaj periudhe gjithashtu do të trajtohet për të shpëtuar nga varësia nga alkooli.
Maradona, një ndër futbollistët më të mirë të historisë së futbollit, është trajner i klubit Gimnasia, në Ligën e Parë të Argjentinës.
Ai në vitin 1986 fitoi Kupën Botërore me Argjentinën, ndërsa me klubin italian Napoli dy herë ligën italiane.