Sport

Güneş: Arritëm një fitore të rëndësishme

"Arritëm të marrim një fitore, një rezultat pozitiv dhe e kontrolluam lojën. Lojës së egër të ekipit kundërshtar iu përgjigjëm më së miri, kontrolluam lojën dhe morëm një fitore të rëndësishme", tha Güneş

Fatjon Cuka  | 23.03.2019 - Përdıtësım : 23.03.2019
Güneş: Arritëm një fitore të rëndësishme Foto: Mustafa Öztürk/AA

Shkodër

Trajneri i Kombëtares së Turqisë në Futboll, Şenol Güneş, gjatë konferencës për mediat në Shkodër pas fitores ndaj Shqipërisë tha se arritën rezultat pozitiv duke përfituar nga lojtarët me eksperiencë, raporton Anadolu Agency (AA).

Turqia fiton ndeshjen ndaj Shqipërisë

Trajneri Güneş u shpreh se duke kontrolluar lojën arritën një fitore të rëndësishme.

"Arritëm të marrim një fitore, një rezultat pozitiv dhe e kontrolluam lojën. Lojës së egër të ekipit kundërshtar iu përgjigjëm më së miri, kontrolluam lojën dhe morëm një fitore të rëndësishme. Më është dhënë një detyrë dhe do mundohem ta bëj sa më mirë detyrën sepse kemi një përgjegjësi para popullit turk. Fillimi i mbarë është gjysma e punës dhe jam shumë i lumtur për këtë", tha Güneş.

Ai tha se nuk ishte i sigurtë për kundërshtarin se me çfarë skeme mbrojtëse do të dilte në lojë dhe shtoi se i kishte marrë masat dhe ishte gati për çfarëdo skeme që do të kishte kundërshtari.

"Jam shumë i lumtur që morëm një rezultat pozitiv. Shpresoj që në ndeshjet e tjera të bëjmë më mirë në disa gabime që kishim", tha trajneri turk.

Güneş vlerësoi se duhet të përgatiten për ndeshjen me Moldavinë dhe duhet të vazhdojnë me këtë ritëm.

Panucci: Skuadra ishte pa kreativitet

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Christian Panucci, në konferencën pas përfundimit të ndeshjes Shqipëri-Turqi tha se përgjegjësia bie mbi trajnerin, por ai shtoi se nuk ka ndërmend për dorëheqje.

"Probleme ka patur gjatë fillimit të lojës. Loja në pjesën e parë nuk ishte keq, por nuk arritëm të shënojmë. Në pjesën e dytë të dyja skuadrat kanë qenë të dobëta, sidomos skuadra jonë pa kreativitet. Ata janë më agresivë në fushë dhe kjo ka bërë diferencën", u shpreh Panucci rreth ndeshjes me Turqinë.

Christian Panucci tha se do të mundohen të fitojnë në Andorra, e cila do të jetë ndeshja e dytë për Kombëtaren e Shqipërisë për fazën eliminatore të “EURO 2020”.

"Dorëheqjen nuk kam ndërmend ta jap. Publiku ka të drejtë që mos jetë i kënaqur me lojën dhe trajnerin, është e drejta e tij kur është loja e keqe, ndërsa të gjithë lojtarët mundohen më dhënë maksimumin", tha trajneri i Kombëtares së Shqipërisë.

Turqia ka fituar ndeshjen zyrtare ndaj Shqipërisë që u zhvillua në qytetin e Shkodrës, e vlefshme për fazën eliminatore të “EURO 2020”, me golat e shënuar nga Burak Yılmaz dhe Hakan Çalhanoğlu.

Sfida e ardhshme e Shqipërisë është më 25 mars me Andorrën, ndërsa Turqia do të përballet me Moldavinë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.