Elvir Hociç
10 Korrik 2016•Përditësim: 10 Korrik 2016
PARIS (AA) – Kampionati Evropian në futboll sonte do të përmbyllet me ndeshjen finale në të cilin beteja për titullin e Evropës do të zhvillohet mes nikoqirit Francës dhe kombëtares së Portugalisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në 30 ditët e kaluara në dhjetë stadiume të Francës 24 ekipet kombëtare luajtën gjithsej 50 ndeshje të EURO 2016 ku në fund për luftën e titullit të kampionatit në kontinentin e vjetër kanë mbetur kombëtaret e Francës dhe Portugalisë.
Ndeshja finale do të zhvillohet sonte në ora 21:00 në stadiumin "Stade de France" në Saint-Denis ndërsa drejtësinë në terren do ta ndajë arbitri anglez Mark Clattenburg.
Të përzgjedhurit e trajnerit francez Didier Deschamps paralajmëruan betejë vendimtare për titullin e tretë të kampionit në Evropë. Sulmin e "trekolorëve" do ta udhëheq Antoine Griezmann i cili deri më tani në kompeticion ka shënuar gjashtë gola.
Nga ana tjetër, kombëtarja e Portugalisë, e udhëhequr nga Cristiano Ronaldo, gjatë turneut ka përmirësuar formën dhe duket se është e gatshme të pres duelin e finales.
Tre barazimet në grup, dhe goli në kohën shtesë ndaj Kroacisë si dhe penaltitë kundër Polonisë ishin një rrugë e vështirë e Portugalisë deri në gjysmëfinale në të cilën me lehtë nga sa pritej mposhtën Uellsin dhe treguan se në momentin vendimtar sulmi ka hyrë në formë.