Sport

Braziliani Philippe Coutinho i bashkohet klubit Bayern Munich

Klubi gjerman do t'i paguajë 8,5 milionë euro Barcelonës për huazimin njëvjeçar me opsion për ta blerë

Fatih Erel  | 19.08.2019 - Përdıtësım : 20.08.2019
Braziliani Philippe Coutinho i bashkohet klubit Bayern Munich ( Burak Akbulut - AA )

Stamboll

Klubi gjerman Bayern Munich sot publikoi transferimin e futbollistit brazilian Philippe Coutinho në një huazim njëvjeçar nga klubi spanjoll Barcelona, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bayern Munich gjithashtu ka të drejtë të blejë Coutinhon nga Barca.

"Coutinho fillimisht do të kalojë një sezon në huazim nga kampioni spanjoll Barcelona. FC Bayern ka opsionin për ta blerë 27-vjeçarin pas skadimit të kontratës së tij të huazimit më 30 qershor 2020", thuhet në kumtesën e klubit gjerman.

Bayern Munich do t'i paguajë 8.5 milionë euro Barcelonës dhe pagën e lojtarit. Marrëveshja gjithashtu përfshin opsion për blerje për klubin gjerman të caktuar në 120 milionë euro, njoftoi Barcelona.

Pasi nënshkroi për klubin gjerman, Coutinho tha: "Për mua, kjo lëvizje nënkupton një sfidë të re në një shtet të ri me njërin prej klubeve më të mira në Evropë. Unë me shumë dëshirë mezi e pres këtë. Ashtu si FC Bayern, kam ambicie të mëdha dhe jam i bindur se mund t'i arrij bashkë me shokët e skuadrës së re".

Drejtori ekzekutiv i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge, në lidhje me këtë transferim, tha: "Ne kemi punuar për ta sjellë Philippe Coutinhon për disa kohë dhe jemi shumë të lumtur që jemi në gjendje të kompletojmë këtë transferim. Falënderojmë FC Barcelonan që u pajtua me transferimin. Me kreativitetin dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme, Philippe është një lojtar që menjëherë do të forcojë sulmin tonë".

Më herët, Coutinho ka luajtur për Interin, Vasco da Gaman, Espanyolin dhe Liverpoolin.

Coutinho gjithashtu i ka ndihmuar përfaqësueses së vendit të tij duke shënuar 15 gola në 55 paraqitje ndërkombëtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.