Hilmi Sever
29 nëntor 2022•Përditësim: 29 nëntor 2022
HİLMİ SEVER
Ndeshjet e dyta të fazës grupore në Kupën Botërore FIFA 2022 nën organizimin e Katarit kanë përfunduar, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kampionatin ku përballen 32 kombëtare në 8 grupe, Franca, Brazili dhe Portugalia ishin të parat që arritën të kualifikohen në një të tetën e finales. Katari dhe Kanadaja, të cilët nuk arritën të marrin pikë në fund të dy ndeshjeve, i thanë lamtumirë turneut.
Në turneun ku do të luhen gjithsej 64 ndeshje përfunduan 32. Në fund të dy ndeshjeve, vetëm Franca, Brazili dhe Portugalia arritën t'i fitojnë të gjitha ndeshjet.
81 gola në 32 ndeshje
Në 32 ndeshjet e luajtura në Kupën Botërore janë shënuar 81 gola, me një mesatare prej 2,53 golash për ndeshje. Në 5 ndeshje nuk u shënua asnjë gol.
Spanja arriti fitoren më të veçantë të turneut, duke mposhtur Kosta Rikën 7-0.
Ndeshja me më shumë gola të shënuara në turne ishte ajo mes Anglisë dhe Iranit. Anglia në këtë ndeshje e fitoi Iranin me rezultatin 6-2.
Valencia dhe Mbappe golashënuesit më të mirë
Enner Valencia nga Ekuadori dhe Kylian Mbappe nga Franca janë golashënuesit më të mirë në Kupën Botërore 2022. Valencia dhe Mbappe shënuan nga 3 gola.
Valencia, i cili gjithashtu është futbollist i Fenerbahçe-s, shënoi 2 gola kundër Katarit, ndërsa një gol kundër Holandës. Mbappe shënoi 2 gola kundër Danimarkës, kurse një gol kundër Australisë.
Dymbëdhjetë futbollistë në kampionatin në Katar shënuan nga dy gola.
Kartoni i vetëm i kuq kundër portierit të Uellsit
Në përfundim të dy raundeve të para, vetëm një futbollist u ndëshkua me karton të kuq. Portieri i Uellsit, Wayne Hennessey, në ndeshjen kundër Iranit, të cilën e humbën, u përjashtua nga loja me karton të kuq në minutën e 86-të.
Deri më tani janë treguar 111 kartonë të verdhë. Arabia Saudite me 8 kartonë të verdh u bë kombëtarja me më shumë ndëshkime me kartonë të verdhë.
Turneu i rezultateve befasuese
Në ndeshjet e grupeve në Katar ndodhën edhe befasime.
Surprizën e parë të turneut e realizoi Arabia Saudite, duke e fituar Argjentinën, një ndër favoritët e kampionatit, me rezultatin 2-1, pas disavantazhit 1-0 në pjesën e parë.
Pas Arabisë Saudite, edhe Japonia arriti një fitore historike. Japonezët pjesën e parë të ndeshjes kundër Gjermanisë, një ndër më me përvojë të turneut, e mbylli në humbje 1-0, por me golat e shënuar në pjesën e dytë arriti të fitojë kundërshtarin e fortë me rezultat 2-1.
Një ndeshje tjetër interesante ndodhi mes Marokut dhe Belgjikës. Përfaqësuesja nga Afrika e fitoi kundërshtarin e fortë me rezultatin 2-0.
Gjermania e fundit në grup
Gjermania, një ndër ekipet më të fuqishme të turneut, pas dy ndeshjeve të luajtura u rendit e fundit në grup. Gjermania ka vetëm një pikë pasi pas disfatës nga Japonia, në ndeshjen e dytë me Spanjën barazoi.
Në grupin E, Spanja me 4 pikë kryeson tabelën. Japonia dhe Kosta Rika me nga 3 pikë gjenden në vendin e dytë dhe të tretë.