STAMBOLL (AA) - Mehmet Fatih Duman,Hilmi Sever
Futbollisti 34 vjeçar i ekipit Medipol Başakşehir të Super Ligës Spor Toto në Turqi, Emmanuel Adebayor, pothuajse është duke sfiduar vitet, shkruan Anadolu Agency (AA).
Futbollisti nga shteti afrikan Togo, Adebayor, i cili ka një karrierë të rëndësishme dhe ka luajtur në ekipet e njohura në botë, pas një periudhe të pafat për të, me ekipin Medipol Başakşehir përsëri është në ngritje.
Adebayor është transferuar në Medipol Başakşehir në mes të sezonit 2016-2017. Përkundër asaj se 6 muaj nuk ka luajtur, ai kontribuoi për ekipin e tij me një performancë shumë më të lartë se sa pritej.
- Në 45 ndeshje zyrtare shënoi 21 gola
Emmanuel Adebayor me fanellën e Medipol Başakşehir ka luajtur në 45 ndeshje zyrtare dhe ka shënuar 21 gola.
Në sezonin që lamë pas, në 11 ndeshje të pjesës së dytë të sezonit shënoi 6 gola, ndërsa në 5 ndeshje të Kupës së Turqisë shënoi një gol. Ndërkaq futbollisti 34 vjeçar gjatë këtij sezoni ka përmirësuar edhe më shumë statistikat e tij.
Golashënuesi nga Togo, në 23 ndeshje të luajtura këtë sezon shënoi 12 gola, si dhe një gol në 4 ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe një në ndeshjen e vetme të Kupës së Turqisë. Ndërsa në një ndeshje të Evropa Ligës nuk arriti të shënojë gol.
Adebayor me 12 gola të shënuar është në mesin e golashënuesve më të mirë të Super Ligës Turke.
- Për dy sezone e gjysmë ka shënuar 3 gola -
Adebayor para se të transferohej në Medipol Başakşehir pothuajse kishte parë fundin, ku për dy sezone e gjysmë shënoi vetëm 3 gola.
Gjatë sezonit 2014-2015 ai luajti për njërin nga ekipet angleze të Premier Ligës, për Tottenham ku në 17 ndeshje zyrtare shënoi vetëm 2 gola. Gjatë sezonit 2015-2016 me Crystal Palace, në 15 ndeshje zyrtare shënoi vetëm një gol.
Në fund të sezonit Crystal Palace liroi Adebayor-in, i cili në fillim të sezonit 2016-2017 nuk gjeti ndonjë klub ndërsa më pas u transferua në ekipin e Super Ligës Turke, Medipol Başakşehir.
Adebayor, përveç golave të shënuar, po tregon se është një lojtar shembullor.
- Ka luajtur në klube të rëndësishme
Karrierën e tij profesionale, 34 vjeçari Adebayor e ka nisur gjatë sezonit 2003-2004 me ekipin francez Monaco. Ai ka luajtur në ekipe të rëndësishme botërore.
Në vitin e parë të karrierës së tij me Monakon ai ka luajtur në finalen e Ligës së Kampionëve ku skuadra e tij pësoi disfatë nga Porto me rezultatin 3-0.
Më pas në mesin e sezonit 2005-2006 Adebayor u transferua në Arsenal, me ç'rast emri u bë i njohur në gjithë botën.
Në Premier Ligën Angleze, Adebayor ka luajtur për 3 sezone e gjysëm për Arsenalin. Më pas u transferua në Manchester City ku luajti një sezon e gjysëm dhe më pas gjysëm sezoni në Real Madrid.
Adebayor në fillim të sezonit 2011-2012 nënshkroi kontratë me Tottenham-in, ku përsëri filloi ngritjen. Në Tottenham luajti 4 sezone ku në 3 prej tyre tregoi një grafikë të suksesshme ndërsa në vitin e fundit mbeti nën atë që pritej nga ai.
Së fundmi gjatë sezonit 2015-2016 Adebayor nuk arriti të tregojë sukses në Crystal Palace dhe para sezonit 2016-2017 ishte liruar nga ky ekip.
| Sezoni | Ekipi | Ndeshje zyrtare | Gola |
| 2017-2018 | Medipol Başakşehir | 29 | 14 |
| 2016-2017 | Medipol Başakşehir | 16 | 7 |
| 2015-2016 | Crystal Palace | 15 | 1 |
| 2014-2015 | Tottenham | 17 | 2 |
| 2013-2014 | Tottenham | 25 | 14 |
| 2012-2013 | Tottenham | 34 | 8 |
| 2011-2012 | Tottenham | 37 | 18 |
| 2010-2011 | Manchester City | 14 | 5 |
| 2010-2011 | Real Madrid | 22 | 8 |
| 2009-2010 | Manchester City | 31 | 14 |
| 2008-2009 | Arsenal | 37 | 17 |
| 2007-2008 | Arsenal | 48 | 30 |
| 2006-2007 | Arsenal | 41 | 12 |
| 2005-2006 | Arsenal | 13 | 4 |
| 2005-2006 | Monaco | 20 | 4 |
| 2004-2005 | Monaco | 44 | 11 |
| 2003-2004 | Monaco | 40 | 8 |
- Akman: Adebayor ka shtuar dhe po shton shumëçka në Medipol Başakşehir
Ish-futbollisti i kombëtares së Turqisë, Ayhan Akman, i cili ka luajtur deri në moshën 35 vjeçare në klube të ndryshme turke si Gaziantepspor, Beşiktaş dhe Galatasaray tha se Adebayor po bën punë të rëndësishme për Medipol Başakşehir.
Akman në një intervistë për gazetarin e AA-së tha se transferimi i Adebayor-it ka qenë një rrezik, meqë ai nuk kishte luajtur futboll një kohë të gjatë.
“Ishte një transfer i rrezikshëm por u bë shumë i përshtatshëm për Medipol Başakşehir. Kanë një strukturë që mund të marrin rreziqe të tilla. Adebayor me të vërtetë ka shtuar dhe shton shumëçka në Medipol Başakşehir”, thotë Akman.
Në performancën e treguar në moshën 34 vjeçare nga Adebayor, Akman thotë se ndikon puna dhe përkujdesja e mirë për veten.
“Gjatë kohëve të fundit futbollistët e nivelit të lartë janë në gjendje të luajnë deri në një moshë të avancuar. Kjo ka të bëjë plotësisht me atë se sa mirë kujdeseni për veten. Futbollistët shtojnë diçka për klubet e tyre, por edhe klubet shtojnë diçka tek futbollistët. Në këtë aspekt, ai zgjodhi një klub të duhur dhe arriti të përshtatet. Në futboll tani më lojtarët e nivelit të lartë janë në gjendje të qëndrojnë në fushë deri në moshën 36-37 vjrçare. Poashtu Adebayor mund të luajë edhe disa vite në këtë nivel”, tha ai.