Fatjon Cuka
21 dhjetor 2015•Përditësim: 21 dhjetor 2015
TIRANË (AA) – Opozita në Shqipëri ka mbajtur sot protestën e fundit të këtij viti, ku ka ripërsëritur kërkesat për dorëheqjen e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) së bashku me forumin rinor të kësaj partie, kanë mbajtur protestën e tyre përpara selisë së Kuvendit në Tiranë, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta që është organizuar nën kujdesin e Forumi Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë ka mbledhur mbështetësit e opozitës para selisë së Kuvendit, në një kohë kur po mbahet edhe seanca e fundit plenare për këtë vit.
Përkrahësit e opozitës kanë protestuar duke ripërsëritur kërkesat e tyre për largimin e qeverisë, ndërsa kanë dominuar fjalimet e studentëve dhe të rinjve.
I fundit që ka folur në protestë ka qenë lideri i opozitës dhe njëkohësisht kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha. Ai ka theksuar në fjalën e tij se ligji për arsimin e lartë, do të shfuqizohet me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, dhe do të hartohet një ligj i ri.
Basha, duke iu drejtuar të rinjve, pjesëmarrës në protestë, u shpreh se: “ Ju folët hapur për të treguar hapur problemet e familjeve tuaja. Keni ngritur zërin dhe do ta ngrini zërin për padrejtësitë që iu janë bërë rinisë. E përsëris që Partia Demokratike ka qenë dhe është kundër ligjit korruptiv për arsimin dhe do ju jap fjalën se ligji për arsimin e lartë do të shfuqizohet javën e parë të ardhjes në pushtet të PD-së. Rinia shqiptare meriton të arsimohet dhe me Partinë Demokratike do të arsimohet pa asnjë diskriminim”.
Drejtoria e Policisë e Tiranës ka marrë masa për të garantuar mbarëvajtjen e protestës dhe shmangien e incidenteve, duke angazhuar rreth 400 forca policore.
Kjo është protesta e tretë e opozitës për muajin dhjetor, pas asaj të parë të mbajtur më 8 dhjetor, në Ditën Kombëtare të Rinisë.
Ndërkohë Kryeministri i vendit, Edi Rama, nuk do të jetë i pranishëm sot në seancën plenare të Kuvendit, pasi ai po zhvillon një vizitë zyrtare në Izrael.