Agon Fehmiu
21 dhjetor 2015•Përditësim: 22 dhjetor 2015
PRISHTINË (AA) - Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Lufti Zharkun, sot kanë prerë shiritin dhe përuruar segmentin Milloshevë - Stanovc të rrugës kombëtare N2, ndërmjet Prishtinës dhe Mitrovicës, raporton Anadolu Agency (AA).
Me këtë rast kryeministri Mustafa tha se është bërë një punë shumë e madhe në ndërtimin e infrastrukturës rrugore.
“Ne po mundohemi që ndërtimin e infrastrukturës ta bëjmë si pjesë të krijimit të kushteve për zhvillim më të shpejt ekonomik, dhe të barazimit të kushteve të rrugëve dhe hekurudhave tona me ato që i kërkon Bashkimi Evropian, sepse ne po vazhdojmë procesin e integrimit në BE dhe të hapjes së të gjitha rrugëve për integrim” tha kryeministri Mustafa, thuhet në njoftimin.
Në kuadër të programit të përbashkët të modernizimit të infrastrukturës rrugore me gjashtë vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, kryeministri Mustafa theksoi se Kosova ka marrë obligime që të barazohet standardi i rrugëve me rrugët evropiane, duke bërë të ditur se në këtë drejtim po punohet në dy rrugë, në vazhdimin e rrugës “Ibrahim Rugova” dhe në rrugën për në Shkup.
“Kemi përgatitur të gjitha dokumentacionet, dhe po ashtu kemi siguruar fondin për rikonstruimin e hekurudhës, me përkrahjen e Bankës Investive Evropiane, Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Komisionit Evropian. Është një shumë prej 160 milionë eurove që është destinuar për të, dhe mendojmë se edhe këtë do ta përfundojmë gjatë kësaj periudhe kohore” deklaroi Mustafa.
Ai bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet që të sigurohen hyrje të zgjeruara në të gjitha qendrat e Kosovës përmes përkrahjes së komunave në projektet e tyre infrastrukturore. Me këtë, tha kryeministri Mustafa, qytetarëve do t’iu lehtësohet jeta dhe do të arrihet standardi sa i përket infrastrukturës në tërësi.
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku deklaroi se përurimi i segmentit Milloshevë-Stanovc, është vetëm një nga projektet e mëdha infrastrukturore që janë kryer gjatë këtij viti.
“Nga Buxheti i përgjithshëm, prej 175 milionë euro, 131 milionë euro i kemi pasur investime kapitale, ku një pjesë e madhe e tyre kanë shkuar për projektet e vitit të kaluar, natyrisht tani kemi filluar edhe me projektet e reja” tha ministri Zharku.
Ai përveç autostradës dhe kësaj pjese të rrugës, ministri Zharku ka përmendur edhe disa projekte të tjera ku po punohet në modernizimin e rrugëve apo tashmë janë kryer punimet
“Po punohet segmenti Gjurgjicë-Kijevë në rrugën Prishtinë-Pejë. Po ashtu, gjatë këtij viti janë kryer rruga Shtime-Ferizaj, Piranë-Mamushë. Kemi lidhjen e autostradës me pjesën jugore të Prizrenit prej Hoçës së Madhe, rehabilitimin e rrugës QMI-Hani i Elezit, rehabilitimin e rrugës Ferizaj-Kllokot-Viti deri në Gërlic, dhe shumë projekte të tjera. Natyrisht, vitin tjetër do të vazhdojmë me rritëm të shtuar, posaçërisht te autostrada “Ibrahim Rugova”. Do të kemi edhe projekte të reja” tha Zharku.
Ai shtoi se me financim të jashtëm, me ndihmën e konzorciumit islamik dhe ne institucionet financiare, pritet që të vazhdohet rruga e gjatë 27 kilometra nga Stanovci deri në Vushtrri, duke nënshkruar kontratën me ekzekutuesin e punimeve deri në korrik, eventualisht gusht të vitit të ardhshëm,
Ministri Zharku deklaroi se gjatë vitit të ardhshëm do të jenë afër 100 projekte të reja infrastrukturore në mbështetje të komunave, vlera e përgjithshme e të cilave është afër 80 milionë euro. Për fillimin e projekteve të reja do të ndahen 21,5 milionë euro kurse me 43 milionë tjera do të financohet vazhdimin i punimeve në projektet që kanë filluar më herët.