Figen Shaban
24 mars 2017•Përditësim: 25 mars 2017
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot takoi drejtorin e Departamentit për Evropën në Qeverinë e Austrisë, Alexander Schallenberg, zyrtarin përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, si dhe ambasadorët austriakë të vendosur në shtetet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA)
Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës thuhet se Thaçi gjatë takimit me delegacionin austriak ka folur për zhvillimet politike në Kosovë dhe në rajon. Ai ka vënë theksin tek dialogu me Serbinë, duke shprehur bindjen se dialogu nuk ka alternativë.
“Progresi në Kosovë është rezultat edhe i mbështetjes dhe përpjekjeve të Austrisë. Kosova ka raporte të mira me të gjithë fqinjët e saj”, ka thënë presidenti Thaçi.
Për iniciativën e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës, Thaçi ka njoftuar se edhe ndërkombëtarët e përkrahin krijimin e ushtrisë, por që dallime ka vetëm rreth metodologjisë së krijimit të saj.
Ndërsa, drejtori për Evropën i Qeverisë së Austrisë, Alexander Schallenberg, është shprehur se për Austrinë është i rëndësishëm stabiliteti dhe bashkëpunimi i shteteve të rajonit me njëri-tjetrin.