Fatjon Cuka
23 dhjetor 2015•Përditësim: 24 dhjetor 2015
TIRANË (AA) – Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, njëkohësisht edhe koordinatorja kombëtare antitrafik, Elona Gjebrea, zhvilloi një takim bilateral me koordinatorin antitrafik për Malin e Zi, Zoran Ulama, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në takimin të pranishëm ishin përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Prokuroria, si dhe Policia nga të dy vendet.
Nga burimet zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë mësohet se në takim u diskutua për masat konkrete që janë marrë dhe priten të ndërmerren në funksion të zbatimit të marrëveshjes kundër trafikimit të qënieve njerëzore midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.
“Pala shqiptare dhe malazeze rikonfirmuan edhe njëherë gatishmërinë për bashkëpunim në luftën e përbashkët kundër trafikimit duke sugjeruar një kalendar aktivitetesh të përbashkëta që synojnë fuqizimin e kapaciteteve policore, përmirësim procedurash dhe kontrolle me rigoroze të emigrantëve të parregullt, përmes takimeve bilaterale, aktiviteteve ndërgjegjësuese, etj”- thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë lidhur me këtë takim.
Gjithashtu u përshëndet edhe ngritja e dhomës së posaçme të intervistimit për viktimat e trafikimit në pikën kufitare të Muriqanit. Palët rikonfirmuan angazhimin dhe intensifikimin e luftës së përbashkët kundër trafikimit të personave dhe për identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit.