Servet Günerigök
14 qershor 2023•Përditësim: 14 qershor 2023
Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka bërë të ditur se sekretari i Shtetit, Antony Blinken, këtë javë do të udhëtojë në Kinë, transmeton Anadolu.
"Blinken në Pekin do të takohet me zyrtarë të lartë të PRC-së, ku do të diskutojë rëndësinë e mbajtjes së linjave të hapura të komunikimit për të menaxhuar me përgjegjësi marrëdhëniet SHBA-PRC", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Miller po ashtu tha se Blinken gjithashtu do të diskutojë çështje dypalëshe me interes të përbashkët, çështje globale dhe rajonale, si dhe bashkëpunimin e mundshëm në sfidat e përbashkëta transnacionale.
Njoftimi nga Miller vjen disa orë pas një telefonate mbrëmë vonë midis sekretarit Blinken dhe këshilltarit shtetëror dhe ministrit kinez të Punëve të Jashtme, Qin Gang.
Sipas Pekinit, kërkesa për thirrjen telefonike erdhi nga Washingtoni.
Vizita e planifikuar e sekretarit amerikan në muajin shkurt për t’u përfshirë në diskutime me homologun e tij kinez u shty pas shfaqjes së një mosmarrëveshjeje në lidhje me një balonë mbikëqyrës, që u zbulua mbi hapësirën ajrore të SHBA-së dhe dyshohej se ishte kineze.
Blinken gjithashtu do të udhëtojë në Londër.
"Në Londër, sekretari do të marrë pjesë në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës për të ndihmuar mobilizimin e mbështetjes ndërkombëtare nga sektori publik dhe privat për të ndihmuar Ukrainën të rimëkëmbet nga sulmet brutale dhe të vazhdueshme të Rusisë", thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.
"Atje, ai do të takohet me homologë nga Mbretëria e Bashkuar, Ukraina dhe partnerë e aleatë të tjerë", thuhet në njoftim.