Abdula Berisha
15 Qershor 2023•Përditësim: 16 Qershor 2023
Qyteti i Strugës këtë vit është nikoqir i Forumit të Prespës për Dialog (FPD), i cili mbahet sot dhe nesër, raporton Anadolu.
Forumi organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, ndërsa në të përpos zyrtarëve të lartë nga vendi marrin pjesë edhe zyrtarë të shumtë të vendeve të rajonit dhe nga bota.
Forumi i sivjetmë ka një rëndësi të veçantë për vendin dhe rajonin, duke pasur parasysh se më 17 qershor shënohet 5-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, me të cilin u zgjidh kontesti i emrit të vendit dhe u mundësua anëtarësimi në NATO.
Programi i forumit, ndër të tjera, do të përfshijë edhe diskutime mbi çështjet e ndjeshme rajonale, ato të politikës dhe sigurisë evropiane, të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, perspektivave për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, nën përkujdesjen e të cilit zhvillohet ky edicion i FPD-së, do të marrë pjesë në panelin e hapjes solemne, i cili do të mbahet më vonë gjatë ditës.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, nesër do të marrë pjesë në një panel me presidentët e vendeve të rajonit. Gjatë forumit, video-adresim pritet të kenë edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Forumi i Prespës për Dialog (FPD) është platformë e krijuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për t’u mundësuar vendeve, udhëheqësve, organizatave dhe qytetarëve të ndërtojnë marrëdhënie afatgjata dhe t’i forcojnë partneritetet.