Admir Fazlagikj
01 Shtator 2016•Përditësim: 01 Shtator 2016
SHKUP (АА) - Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë në bashkëpunim me Prokurorinë themelore publike për ndjekje penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit në kuadër të operacionit "Rrjeti" për luftimin e rrjetit të kontrabanduesve të drogës që veprojnë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtarë mëngjesin e sotëm ka kryer bastisje tek dy persona në rajonin e qytetit të Strugës dhe një në fshatin Veleshtë, raporton Anadolu Agency (AA).
Për bastisjet e sotme përmes një konference për media sot njoftoi Natalia Spirova Kordiç, Shefe e Departamentit për marrëdhënie me publikun dhe protokollit në MPB, e cila tha se kishte informacione se bëhet fjalë për një grup të organizuar kriminal i cili vepronte në rajonin e Strugës, Kërçovës, Gostivarit dhe Ohrit.
"I akuzuari i parë i moshës 28 vjeçare është privuar nga liria në fshatin Veleshtë dhe për të ka informacione se për një periudhë të gjatë për shkak të shitjes të paautorizuar të kokainës dhe marijuanës ka krijuar rrjetin e shitësve dhe ndërmjetësve, me ç'rast ka angazhuar disa persona", ka thënë Spirova Kordiç.
Ajo tha se posedojnë informacione se i akuzuari i parë, nga persona deri më tani të panjohur nga Shqipëria është furnizuar me kokainë dhe marijuanë, i kishte sjellë në shtëpinë e tij në fshatin Veleshtë ku i kishte paketuar në sasi të vogla dhe i kishte shitur më shumë personave-trafikantë dhe përdorues në Strugë dhe Ohër. Çmimi i shitjes varionte nga 3.000 denarë për një gram kokainë dhe 500 denarë për një pako marijuanë.
"Gjatë bastisjes në fshatin Veleshtë u gjetën 25 pako në substancë pluhur, një pjesë e fshehur në kuti të tabletave, pastaj mbetje të marijuanës, rreth 2.000 euro, plumba, disa telefona celularë dhe gjësende të tjera me vlerë që besohet se janë lënë si garanci për blerjen e drogës dhe dokumente personale", ka thënë Kordiç, duke shtuar se në bastisjen e dytë në Strugë tek ndërmjetësi i organizatorit ishte gjetur një revole me gaz, mbetje të substancës në pluhur dhe një telefon celular.
MPB-ja njoftoi se do të ngriten kallëzime penale kundër tre personave, dy të moshës 28 vjeçare dhe një person të moshës 41 vjeçare, të gjithë nga Struga, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të "prodhimit të paligjshëm dhe shitjes së drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve".
Kondiç bëri të ditur se aktivitetet e MPB-së dhe Prokurorisë Themelore Publike në kuadër të operacionit "Rrjetit" do të vazhdojnë edhe në qytete të tjera të Maqedonisë.