Malik Hasa
27 Prill 2016•Përditësim: 27 Prill 2016
TIRANË (AA) – Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Turqisë, Doç. Dr. Uğur Ünal, ka deklaruar sot se një ekip ekspertësh nga Arkivi Shtetëror që ai drejton do të vijë në Tiranë për të hulumtuar nga afër dokumentacionin që gjendet në Arkivin e Shqipërisë në lidhje me Perandorinë Osmane, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Gjet Ndoj dhe Ünal, i cili në kuadër të një vizite zyrtare ndodhet në Tiranë, pas takimit mes tyre kanë organizuar një konferencë të përbashkët për mediat në ambientet e Arkivit të Shtetit të Shqipërisë.
Në konferencën për mediat, Ünal, duke nënvizuar se kanë nisur një bashkëpunim serioz me institucionin homolog, tha se arkivat e dy vendeve janë shumë të rëndësishme.
"Në Turqi ka arkiva të Perandorisë Osmane, por në to nuk ka arkiva vetëm për historinë e Turqisë, por në të njëjtën kohë ka të dhëna të rëndësishme edhe për historinë e Shqipërisë. Faktikisht në të gjitha arkivat e botës ka arkiva për vendet e tjera, por mes dy vendeve tona ka shumë më tepër dokumente. Për shembull në arkivat e Perandorisë Osmane në Turqi vetëm me termin ‘Shqipëri’ ka mbi 100 mijë dokumente. Ashtu sikurse e tha edhe drejtori i Arkivave të Shqipërisë, edhe këtu ka mbi një milion dokumente në lidhje me Perandorinë Osmane", tha Ünal.
Duke vënë në dukje se drejtuesit e dy institucioneve duhet të punojnë për një bashkëpunim dinjitoz dhe në ofrimin e dokumenteve ndaj studiuesve dhe profesorëve, në vijim të fjalës së tij, Ünal tha: "Muajin e ardhshëm do të dërgojmë një ekip specialistësh që njohin mirë gjuhën osmane dhe atë arabe për të bërë një studim paraprak në dokumentet që ndodhen në arkivat e Shqipërisë. Ky ekip do të përgatisë një raport për të dyja drejtoritë në të cilin do të parashikohen ndërhyrjet e nevojshme ndaj dokumenteve që ndodhen këtu. Në bazë të këtij raporti duke filluar nga dixhitalizimi dhe hapat e tjera do të krijojmë një axhendë pune të përbashkët.’’
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Gjet Ndoj, gjatë fjalës së tij fillimisht ka bërë një prezantim të institucionit që ai drejton. Gjithashtu ai u shpreh se sot është një moment i shënuar për arkivat e Shqipërisë dhe Turqisë.
"Është nder shumë i veçantë për mua dhe kam besimin e plotë se dy institucionet tona do të përfitojnë shumë nga shkëmbimi reciprok i përvojave. Partneri më i rëndësishëm i jonë është Turqia në këtë drejtim. Nga 980 regjistra që ka arkivi osman 57 prej tyre i përkasin vilajeteve të Shqipërisë dhe ne tashmë në saj të këtij bashkëpunimi i kemi të gjitha këtu. Për këtë falënderoj institucionin e arkivave të Turqisë për mbështetjen e dhënë. Kemi me dhjetëra fermanë të Sulltanëve nga shekulli i 15-të deri në shekullin 20-të. Kemi dokumente për administrimin e Perandorisë, afërsisht një milion e dyqind mijë dokumente në lidhje me Perandorinë Osmane", u shpreh Ndoj.
Ai gjithashtu ka pohuar se është kërkuar ndihma e Turqisë për dixhitalizimin e dokumenteve që ndodhen në Arkivin e Shqipërisë.