Fatjon Cuka
18 Tetor 2016•Përditësim: 18 Tetor 2016
TIRANË (AA) - Është zhvilluar sot në Bruksel ceremonia e prezantimit të grupit të miqësisë në Parlamentin Evropian (PE), "Friends of Albania", e organizuar nga zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë bëhet e ditur se ceremonia u zhvillua në prani të presidentit të Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, Gianni Pitella, kryetarit të grupit për Ballkanin Perëndimor në Komitetin për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan, si dhe eurodeputetëve të tjerë nga grupe të ndryshme politike të PE-së.
Theksohet se Grupi i Miqësisë Shqipëri-BE do të shërbejë si një urë miqësie ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Shqipërisë, më qëllim rritjen e mbështetjes për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, duke mundësuar krijimin e lidhjeve më të forta dhe një dialogu konstruktiv brenda Parlamentit Evropian.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në fjalën e tij në këtë ceremoni, ka theksuar se ngritja e këtij grupi në një moment kyç për avancimin e vendit drejt BE-së, do të sjellë energji të reja në reformat që po ndërmerren në Shqipëri, si dhe në rrugëtimin evropian.
"Europarlamentarët vlerësuan politikën konstruktive të Shqipërisë në rajon, angazhimin e Shqipërisë dhe progresin e qëndrueshëm në zbatimin e pesë prioriteteve kyçe për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, duke rikonfirmuar mbështetjen e PE-së për rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Ata u ndalën në rezultatet pozitive që kjo praktikë ka prodhuar me vendet e tjera që tashmë janë anëtare të BE-së", thuhet në njoftim.
Në fjalën e tij, ministri Bushati u shpreh se: "Parlamenti Evropian ka qenë gjithnjë një mbështetës aktiv i përpjekjeve tona, dhe ne besojmë në ndihmën tuaj, që Bashkimi Evropian të vijojë të ketë në fokus rajonin tonë. Ne mbështesim një politikë të zgjerimit të drejtë, bazuar në meritat personale, por gjithashtu ka nevojë për një qasje rajonale të balancuar mbi zgjerimin."