Diyar Güldoğan
21 tetor 2015•Përditësim: 21 tetor 2015
ANKARA (AA) – Hungaria mbështet “implementimin e shpejtë” të planit aksional ndërmjet Bashkimit Evropian (BE) dhe Turqisë, bëri të ditur ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë Peter Szijjarto, gjatë vizitës së tij njëditore në Ankara, raporton Anadolu Agency (AA).
Plani i BE-së parashikon bashkëpunim më të ngushtë mes Brukselit dhe Ankarasë në parandalimin e emigrantëve dhe luftën kundër trafikantëve, dhe si kthim të ketë udhëtim pa viza për shtetasit turq në Evropë.
“Ne jemi duke argumentuar në favor të një marrëveshjeje të shpejtë të planit aksional mes BE-së dhe Turqisë”, deklaroi të martën Peter Szijjarto për Anadolu Agency.
Integrimi i Turqisë në BE dhe oferta e saj 28 vjeçare për t’u bërë anëtare, përsëri është aktualizuar për shkak të krizës së refugjatëve me të cilën po përballet Evropa dhe nevojën e BE-së që të kërkojë ndihmën turke për të frenuar fluksin e emigrantëve.
Derisa liderët e BE-së diskutojnë marrëveshjet për t’i siguruar Turqisë mbështetje financiare për rreth 2.2 milionë refugjatë, Ankaraja shpreson në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të iniciuar në vitin 1987 si dhe udhëtimin pa viza në Evropë për qytetarët e saj.
“Qëndrimi ynë është se BE-ja duhet të zgjerohet, sepse nëse BE-ja është shumë e mbyllur me problemet e veta, atëherë ne do të jemi edhe më të dobët në të ardhmen. Pra, qëndrimi ynë është se zgjerimi është i domosdoshëm dhe ne duhet të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me Turqinë”, tha Szijjarto.
Szijjarto gjithashtu shtoi se procesi i liberalizimit të vizave me Turqinë duhet të përshpejtohet, gjë që do të sjellë shumë përparësi.
- Çështja e refugjatëve
“Ju e dini nga perspektiva evropiane, kjo nuk është çështje refugjatësh. Ky është migrim masiv”, tha Szijjarto.
Ai tha se refugjatët që duan të arrijnë në Evropë, kanë “motive ekonomike”.
“Turqia është vend i sigurtë. Turqia kujdeset mirë për këta refugjatë në mënyrë të duhur dhe korrekte. Kjo është arsyja pse ne i kemi propozuar BE-së për t’i dhënë mbështetje financiare Turqisë”, tha Szijjarto.
Ankaraja vlerëson se deri më tani ka shpenzuar rreth 8 miliardë dollarë për refugjatët, ndërsa mbështetja nga vendet tjera arriti vetëm në 417 milionë dollarë.