Figen Shaban
04 Tetor 2017•Përditësim: 05 Tetor 2017
PRISHTINË (AA) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, së bashku me drejtorin për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson, sot lansuan zyrtarisht Programin për Reforma Ekonomike, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një takim të përbashkët të delegacionit europian në krye me drejtorin për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, Danielsson tha se qeveria pret zbatimin e reformave që stimulojnë zhvillimin ekonomik në Kosovë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Danielsson ku bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj kanë lansuar programin për reforma ekonomike tha se Kosovës i është kërkuar të lëviz përpara ne uljen e informalitetit dhe në sektorin e efiçiencës së energjisë duke theksuar se duhet t'i përmbushë kriteret për liberalizimin e tregut dhe për të siguruar sundimin e ligjit dhe një klimë më të mirë për bërjen e biznesit.
"Qëllimi i këtyre reformave është t’i ndihmojë Kosovës për politikat më kredibile ekonomike që ta përmirësojnë jetën e popullatës, si dhe në aspiratat drejt BE-së. Këto reforma janë të njëjta si për të gjitha vendet e tjera të BE-së dhe përfaqësojnë zemrën e strategjisë së zgjerimit", tha Danielsson.
Pas takimit me kryeministrin Haradinaj dhe me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, Danielsson në një konferencë për media tha se ka ardhur në Kosovë për të rikonfirmuar perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe për të zhvilluar diskutime të përbashkëta se si Komisioni Evropian mund ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj evropiane.
"Unë e di se kjo është një rrugë sfiduese, ka të bëjë me reformat, reformat në sistemin e arsimit, administratës publike, në menaxhimin e financave publike madje edhe shtyrjen përpara të strategjisë për energjinë. Kujtojë që kemi patur diskutime shumë të mira për të gjitha çështjet që i diskutuam", tha Danielsson.
Ai theksoi se KE do të vazhdojë të ofrojë asistencë financiare duke bërë të ditur se shuma e dedikuar aktualisht për Kosovën që nga viti 1999 është 2.5 miliardë euro në formë të granteve. Danielsson po ashtu njoftoi se do të vazhdohet në nivel të rreth 100 milionë eurove të asistencës brenda vitit për këtë qëllim.
Në të njëjtën kohë, Danielsson ka mirëpritur vendimin e sotëm të Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes financiare IPA 2016, ku Kosovës i ndahen rreth 71 milion euro për arsimin primar, kujdesin e fëmijëve, për reforma të administratës publike dhe sfera të tjera.
Kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova synon përshpejtimin e rrugës së saj drejt BE. Ai tha se Kosova dhe BE-ja duhet ta kenë një marrëdhënie kontraktuale përmes MSA-së dhe rikujtoi se Kosova është e përgatitur për reformat e axhendës evropiane të njohura si ERA, zbatimi i të cilës është në pritje.
Duke theksuar se Kosova ka vështirësi në shkëmbimet ekonomike e tregtare me disa vende të rajonit, Haradinaj tha se me procesin e Berlinit vendi do të fillojë të marrë pjesë edhe në zhvillimet rajonale.
"Sot, fokusimi ishte në programin për reformat ekonomike dhe në lansimin e këtij programi për vitin që vjen. Ishte një mundësi e mirë që të marrim sugjerime direkte nga Danielsson në aspektet më me rëndësi të këtij programi", tha Haradinaj.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Danielsson tha se kriteret që duhet të plotësojë Kosova janë të njohura nga të gjithë sepse është e rëndësishme lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.