Fatjon Cuka
03 Tetor 2017•Përditësim: 04 Tetor 2017
TIRANË (AA) - Gjatë takimit që ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, zhvilloi me homologun e saj nga Polonia, Antoni Macierewicz, është diskutuar për mbështetjen e Polonisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe për Qendrën e Ekselencës për studimin e fenomenit të Luftëtarëve të Huaj Terroristë, që do të jetë funksionale së shpejti në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Xhaçka dhe Macierewicz, në përfundim të takimit mbajtën një konferencë për mediat.
"Gjatë takimit patëm mundësinë për ide e mendime dhe të ndajmë edhe qëndrime që lidhen më shumë me sfidat e sigurisë, kërcënimet dhe rreziqet me të cilat përballen vendet tona, por edhe aleanca jonë e përbashkët-NATO. I shpreha homologut polak mirënjohje të veçantë për mbështetjen që vendi i tij i ka dhënë Kosovës si shtet i pavarur, si dhe për prezencën e rëndësishme të ushtarakëve polakë, jo thjesht si një kontribut për sigurinë e Kosovës, por edhe për sigurinë e rajonit tonë. Diskutuam mbi kontributin e Shqipërisë, në misionet dhe operacionet e Aleancës, si dhe ato të Bashkimit Evropian", u shpreh ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë.
Ministri Macierewic shprehu gatishmërinë e qeverisë polake për të emëruar sa më parë, atasheun ushtarak të Polonisë në Tiranë si dhe asistencën polake në funksionimin e Qendrës së Ekselencës për studimin e fenomenit të Luftëtarëve të Huaj Terroristë, që do të ngrihet në Tiranë.
“Vendosëm që të forcojmë bashkëpunimin mes nesh, bashkëpunim, i cili mund të sjellë rezultate shumë të prekshme për sigurinë evropiane. Ndaj, në këtë kontekst ne do të mbështesim ngritjen dhe funksionimin e Qendrës së Ekselencës, pranë së cilës do të kemi një prej ekspertëve tanë”, tha ministri Macierewic.