PRISHTINË (AA)- Kreu i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj sot është ndaluar nga policia franceze, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndalimin e Haradinajt e ka konfirmuar edhe deputetja nga radhët e AAK, Time Kadrijaj e cila për AA është shprehur se ai është ndaluar në Francë. Ajo bëri të ditur se lajmin e kanë konfirmuar edhe familja Haradinaj.
Kadrijaj po ashtu bëri të ditur se nuk kanë informacione të sakta dhe detaje rreth arsyes së këtij arresti, mirëpo u shpreh që besohet se është bërë sipas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, lidhur me aktakuzat për krime lufte.
Së fundi, deputetja Kadrijaj u shpreh se kjo nuk është hera e parë që Haradinaj është arrestuar, i cili më parë është ndaluar edhe në Slloveni, dhe shtoi se kjo çështje duhet të rregullohet sa më parë që gjëra të tilla të mos përsëriten.
AAK: Një veprim i tillë është krejtësisht i padrejtë dhe i papranueshëm
Ndërkohë, AAK në një njoftim për media bën të ditur se Ramush Haradinaj, sot është ndaluar në aeroportin e Baselit, sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004. “Një veprim i tillë është krejtësisht i padrejtë dhe i papranueshëm.
U bëjmë thirrje autoriteteve franceze qe t'i mundësojnë zotit Haradinaj që të vazhdojë udhëtimin e tij i papenguar dhe kërkojmë nga autoritet e Bashkimit Evropian dhe të shteteve evropiane veç e veç që të mos pengojnë lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës, sipas urdhërarresteve të paligjshme të Serbisë.
Njëkohësisht kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të ndërpres çdo komunikim me Serbinë deri sa ajo të mos i tërheqë fletarrestet ndërkombëtare kundër personalieve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e AAK-së.
Poashtu edhe në një njoftim nga Ministria e Drejtësisë bëhet e ditur se ky dikaster është koordinuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Policinë e Kosovës dhe ambasadorin e Republikës së Kosovës në Francë dhe përmes Ministrisë së Jashtme ka dërguar shkresën në Ministrinë e Drejtësisë së Francës me kërkesën për lirimin e menjëhershëm të ish-komandantit të UÇK-së, Haradinaj.
Thaçi: Ndalimi i Haradinajt është i dënueshëm dhe i papranueshëm
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar kundër ndalimit të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai është shprehur se ndalimi i Haradinajt në cilindo shtet të botës, vetëm për shkak të një urdhërarresti të shtetit të Serbisë, është i dënueshëm dhe i papranueshëm.
“Ne pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jemi krenarë që kemi luftuar kundër ligjeve diskriminuese e kriminale të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ndërkaq drejtësinë tonë e vërtetoi edhe bota e lirë dhe demokratike kur ndërmori fushatën e bombardimit të caqeve serbe”, ka shkruar Thaçi në një postim në profilet e tij në rrjetet sociale.
Ai po ashtu është shprehur se institucionet e shtetit të Kosovës po punojnë për korrigjimin e këtij gabimi.
“Institucionet e shtetit të Kosovës po punojnë me tërë mekanizmat që kanë në dispozicion, që sa më parë të korrigjohet ky gabim dhe që Haradinaj të lihet i lirë, siç e meriton. Ky është edhe një argument tjetër pse Kosova duhet të jetë pjesë e institucioneve ndërkombëtare, që ato të jenë në gjendje të zbulojnë të vërtetën për Kosovën dhe Serbinë, për drejtësinë”, ka shkruar së fundi Thaçi.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës bën të ditur se po angazhohet për sqarimin e të rrethanave të ndalimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe tejkalimin e situatës së krijuar.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha dikasteret kompetente të saj po angazhohen me prioritet për sqarimin e shpejtë të rrethanave të ndalimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe tejkalimin e situatës së krijuar si pasojë e aktakuzave të paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë”, thuhet në njoftim nga zyra e Kryeministrit.
Kush është Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj lindi më 3 korrik 1968 në Gllogjan, afër Deçanit. Ai është një politikan dhe ish-udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa prej datës 3 dhjetor 2004 deri më 8 mars 2005 ka qenë Kryeministër i Kosovës.
Në prill të vitit 2000 largohet nga jeta ushtarake dhe themelon partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kryetar i së cilës është edhe sot.
Më 8 mars të vitit 2005, Tribunali për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi publikoi aktakuzën për krime lufte ndaj tij dhe si rrjedhojë po atë ditë Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e Kryeministrit të Kosovës.
Ai shkon vullnetarisht në Tribunalin e Hagës, ku me të mbërritur u burgos.
Pas disa muajve në paraburgim ai u lirua përkohësisht deri në fillim të gjykimit të tij. Ai u lirua më 3 prill 2008, për shkak të mungesës së provave.