Sibel Vezaj
11 Tetor 2016•Përditësim: 11 Tetor 2016
PRISHTINË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson, me të cilin diskutoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe çështjet që lidhen me rrugëtimin euro-integrues të vendit tonë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Kuvendi thuhet se gjatë këtij takimi kryeparlamentari Veseli e njoftoi Drejtorin e Përgjithshëm Danielsson për angazhimet e institucioneve të Kosovës dhe të Kuvendit në veçanti, për përmbushjen e kritereve që kanë të bëjnë me axhendën evropiane.
Veseli foli edhe për punën e bërë nga Kuvendi, në përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve vendore për reforma në sektorin ekonomik, në funksion të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve të Kosovës dhe për hapjen e vendeve të lira të punës.
Ai gjithashtu theksoi nevojën e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, duke u mundësuar qytetarëve të saj lëvizjen e lirë në zonën Shengen.
Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian, Christian Danielsson, gjatë këtij takimi nënvizoi rolin e rëndësishëm që Kuvendi duhet të luaj në zbatimin e reformave, në procesin e integrimit evropian dhe tha se Kosova duhet të plotësojë kriteret e mbetura, për liberalizimin e vizave.
Në takim, një theks i veçantë iu kushtua zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, duke konsideruar se ky është një proces i një rëndësie të veçantë për Kosovën dhe marrëdhëniet midis saj dhe Bashkimit Evropian.
Në anën tjetër pas përfundimit të takimeve të drejtorit të Përgjithshmëm Danielsson, në një deklaratë për media nga Zyra e BE-së në Kosovë, pas thuhet se ai ka shprehur përkushtimin e fuqishëm të BE-së për të çuar përpara reformat e Kosovës të cilat janë të lidhura me BE-në.
“BE-ja, për shembull, ka ndarë 25 milionë euro për reformën e administratës publike të Kosovës për vitin 2016. Por, parakushtet duhet të përmbushen. Një kornizë e qëndrueshme makroekonomike është një nga parakushtet për mbështetjen e buxhetit të planifikuar të BE-së për të reformuar administratën publike të Kosovës. BE-ja është duke ofruar mbi 600 milionë euro për periudhën 2014-2020 në ndihmë për të forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen, si dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën në Kosovë”, thuhet në njoftim nga Zyra e BE-së në Kosovë.
Duke vënë në dukje se progresi i Kosovës drejt liberalizimit të vizave u diskutua në të gjitha takimet e Drejtorit të Përgjithshëm, Danielsson, në njoftim theksohet se Kosova duhet t’i përmbushë dy kërkesa të mbetura, të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe të forcojë të dhënat në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ndërkaq, Daniellson gjatë vizitës së tij në Kosovë ka takuar edhe Kryeministrin Isa Mustafa, zv/kryeministrin e parë, Hajredin Kuçin si dhe përfaqësuesit e partive opozitare në vend.