Sena Güler
25 Nëntor 2020•Përditësim: 25 Nëntor 2020
Fregata gjermane e cila hyri me forcë dhe ilegalisht në anijen e mallrave me flamurin turk në Detin e Mesdheut lindor e bëri këtë pa miratimin e Turqisë dhe kapitenit, njoftoi Ministria turke e Mbrojtjes të martën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë mbi incidentin e 22 nëntorit pranë ishullit të Peloponezit, ministria tha se Rezoluta 2292 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërkon konsultime dhe leje nga qeveria libiane për kontrollin e anijes si pjesë e embargos së armëve të OKB-së në Libi, ku ishte drejtuar anija turke e mallrave Rosaline-A.
Përkundër kësaj, Bashkimi Evropian nisi operacionin "Irini" në Mesdheun Lindor, nën të cilin veproi fregata gjermane Hamburg, e udhëhequr nga Greqia, duke mos përmbushur kërkesat e lartpërmendura.
Selia operative e "Irini"-t ndodhet në Romë, me komandantin e përgjithshëm italian, zëvendës komandantin francez dhe komandantin e sektorit detar grek ndërsa forcat e tyre detare përbëhen nga fregata greke, italiane dhe gjermane, thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se ekuipazhi i Rosaline-A u mor në pyetje përmes radios së fregatës gjermane Hamburg rreth orës 12:30 sipas kohës lokale.
"Pas kësaj, Qendra Operative e Operacionit 'Irini' kërkoi leje për të kontrolluar anijen. Qeveria e Republikës së Turqisë informoi Qendrën Operacionale 'Irini' në ora 17:44 se nuk i jep leje për të kontrollin e anijes", tha ministria, duke shtuar se:
"Pavarësisht se nuk kishte pëlqimin e shtetit të flamurit dhe kapitenit të anijes, një ekip i armatosur dhe i pajisur për kontroll të fregatës gjermane hipi me forcë në anije me helikopter në orën 18:00".
Ministria shtoi se ekipi kreu një kontroll të plotë dhe u largua nga anija me helikopter mëngjesin tjetër në orën 9:30.
Duke akuzuar ekipin e kontrollit për trajtimin e ekuipazhit të Rosaline-A "si kriminelë" gjatë një kontrolli afërsisht 16 orësh, ministria tha se kontrolli u ndërpre pas protestave të vazhdueshme turke dhe dështimit për të gjetur "elementë të dyshimtë" në anije sepse ngarkesa përbëhej vetëm nga mielli, vaji, biskota, mishi, kozmetika, furnizimet shëndetësore dhe pajisjet e ndërtimit.
Turqia pret që aleatët të veprojnë në përputhje me ligjin ndërkombëtar
Ministria turke e Mbrojtjes vuri në dukje se ishte shqetësuese që një "akt i tillë i paligjshëm" ishte kryer nga flota aleate.
"Është e qartë se komandanti i operacionit, i cili komandonte anijet në det në këtë operacion të paligjshëm, u soll në mënyrë të njëanshme dhe emocionale. Të gjitha të drejtat tona për këtë çështje janë të qarta. Ne nuk duhet të harrojmë se kjo lloj dhune do të jetë një shembull i veprimeve të tjera", thonë nga ministria.
Duke vënë në dyshim legjitimitetin e operacionit 'Irini', ministria tha se janë shkelur parimet e lirisë së deteve të hapura dhe është injoruar mbështetja e dhënë për forcat e Khalifa Haftarit, komandantit puçist në Libi.
Më tej theksohet se Turqia që nga fillimi ka marrë qëndrimin se kriza libiane mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut politik dhe jo me mjete ushtarake, duke shtuar gjithashtu se Turqia është e gatshme të punojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe të rrisë bashkëpunimin dhe koordinimin e nevojshëm duke parandaluar incidentet.
"Presim që të gjitha palët, veçanërisht aleatët tanë, të veprojnë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjeve detare", përfundon deklaratën e saj Ministria turke e Mbrojtjes.
Libia është kthyer në një skenë të krizës së thellë politike dhe të sigurisë që nga viti 2011 kur u vra Muammar Gaddafi. Kreu i forcave separatiste në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, nisi një sulm në prill të vitit të kaluar për pushtimin e Tripolit, i cili u pengua nga forcat e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të Libisë.
Qeveria libiane u formua në vitin 2015 mbi bazën e një marrëveshje me iniciativën e Kombeve të Bashkuara, por përpjekjet për zgjidhje politike afatgjatë dështuan për shkak të ofensivës ushtarake të forcave të Haftarit.
Turqia mbështet qeverinë legjitime të Libisë me qendër në kryeqytetin Tripoli.