Politikë

Administrata e presidentit Biden miraton 60 milionë dollarë për rindërtimin e urës së Baltimore

Departamenti Amerikan i Transportit autorizoi financimin për të filluar rindërtimin emergjent të urës ‘Francis Scott Key’, ndërsa e gjithë kostoja e projektit pritet të arrijë në 2 miliardë dollarë

Darren Lyn  | 29.03.2024 - Përdıtësım : 03.04.2024
Administrata e presidentit Biden miraton 60 milionë dollarë për rindërtimin e urës së Baltimore

Washington DC

Administrata e presidentit Joe Biden ka miratuar 60 milionë dollarë fonde federale për rindërtimin e urës së Baltimore që u shemb në shtetin Maryland pasi të martën u godit nga një anije mallrash me flamurin e Singaporit, transmeton Anadolu.

Departamenti Amerikan i Transportit autorizoi financimin për të filluar rindërtimin emergjent të urës ‘Francis Scott Key’, ndërsa e gjithë kostoja e projektit pritet të arrijë në 2 miliardë dollarë.

"Këto fonde shërbejnë si një pagesë paraprake për kostot fillestare dhe financimi shtesë i programit të Ndihmës Emergjente do të vihet në dispozicion derisa puna vazhdon", tha Departamenti i Transportit.

Herët në mëngjesin e së martës, anija me rreth 4.700 kontejnerë goditi urën duke lënë gjashtë persona të vdekur. Shembja e strukturës së urës ndaloi trafikun në një nga portet më të ngarkuara në SHBA.

"Askush nuk do t’i harrojë kurrë imazhet tronditëse të një anijeje me kontejnerë që godet urën ‘Francis Scott Key’, duke shkaktuar shembjen e saj dhe humbjen tragjike të gjashtë personave", tha sekretari i Transportit, Pete Buttigieg.

Ai shtoi se fondet federale të urgjencës, që po lëshohen sot, do të ndihmojnë shtetin Maryland të fillojë punën urgjente, që siç tha ai, do të pasohet nga burime të mëtejshme derisa përpjekjet e rimëkëmbjes dhe rindërtimit përparojnë.

Guvernatori i shtetit Maryland, Wes Moore, tha se vinçi më i madh në bregun lindor aktualisht po transportohet me një maunë për të ndihmuar në pastrimin e kanalit të anijeve nga sasi të mëdha metali dhe betoni të copëtuara nga shembja. Ai njoftoi se vinçi mund të ngrejë deri në 1 mijë ton për ngarkesë.

"Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Maryland-in. Kjo ka të bëjë me ekonominë e vendit. Porti sjell më shumë makina dhe më shumë pajisje bujqësore se çdo port tjetër në Amerikë", tha Moore.

Më herët, presidenti Biden tha se qeveria federale do të "lëvizë parajsën dhe tokën" për të rindërtuar urën, gjë që u prit nga reagimi i ligjvënësve republikanë të shqetësuar për shpenzimet e tepërta të qeverisë.

"Mendimi i parë që qeveria federale të paguajë për urën e Baltimore është krejtësisht absurde. Kjo ilustron sloganin e vjetër ‘Grabit Peter-in për të paguar Paul-in’ ", tha në një intervistë përfaqësuesi amerikan, Ralph Norman.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit është në fazat fillestare të hetimit të përplasjes së anijes në urën e Baltimore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın