Kulturë

"TRT do të transmetojë serialin Salahaddin Eyyubi"

Seriali i ri i shumëpritur i TRT 1 "Salahaddin Eyyubi, Çliruesi i Kudsit" do të tregojë për çlirimin e Kudsit dhe ngritjen e mëvonshme të botës islame

13.11.2023 - Përdıtësım : 14.11.2023
"TRT do të transmetojë serialin Salahaddin Eyyubi" Foto: Ali Atmaca/AA

Istanbul

SALİH ŞEREF

Seriali i ri i shumëpritur i TRT 1 "Salahaddin Eyyubi, Çliruesi i Kudsit" do të tregojë për çlirimin e Kudsit dhe ngritjen e mëvonshme të botës islame, raporton Anadolu.

Seriali, i cili tregon historinë e Salahuddin Eyyubit, i cili çliroi Kudsin, nis nesër rrugëtimin e tij në ekran.

Në xhirimet e serialit, pyetjeve të Anadolu-s iu përgjigjën aktorët kryesorë Uğur Güneş dhe Dilin Döğer dhe producenti i serialit, Emre Konuk.

- "Salahaddin Eyyubi do të thotë mëshirë dhe drejtësi për mua"

Uğur Güneş, i cili luan personazhin e Salahaddin Eyyubit në serial, tha se ai kreu një hulumtim serioz mbi jetën e Eyyubit para xhirimeve.

Güneş deklaroi se ai kishte pasur një ide për Eyyubin, por kishte mundësinë ta lexonte në thellësi falë projektit. "Unë gjithashtu u përpoqa t'i afrohesha shpirtërisht atij", tha ai.

Ai tha se ishte nder për të që të portretizonte Salahaddin Eyyubin. "Eyyubi do të thotë mëshirë dhe drejtësi për mua. Ai është dijetar dhe komandant i madh. Shndërrimi i tij në një luftëtar të madh më bëri shumë përshtypje. Është vërtet e admirueshme që ai e bën këtë nëpërmjet drejtësisë, arsyes dhe mëshirës", tha Güneş.

Duke theksuar se e gjithë bota muslimane është në pritje të këtij seriali, aktori tha: "Shpresoj që projekti ynë të jetë vërtet një dritë shprese për ata njerëz. Shpresojmë të kontribuojmë në rritjen e ndërgjegjësimit në botë dhe ngritjen e zërit te njerëzit në Palestinë si një shpresë".

- "Është bërë një punë shumë e mirë"

Një tjetër aktore kryesore e serialit, Dilin Döğer tha se ndihej me fat që u përfshi në një projekt kaq të madh. "Unë luaj personazhin e Süreyya-s, një grua e guximshme dhe luftëtare në film. Sigurisht që ka anë emocionale, por duhet të përmbush detyrimet dhe të qëndroj e fortë për shkak të botës ku është rritur. Më pëlqen ky qëndrim i saj. Gjithçka në lidhje me të më ka magjepsur, po ashtu edhe emri i saj, që do të thotë 'Qielli", tha ajo.

Duke thënë se ata punonin në një pllajë shumë të madhe, Döğer tha: "Si aktor, kur hyn këtu, ndjen sikur po teleportohesh në atë periudhë. Është bërë një punë e shkëlqyer me atmosferën e saj".

- "Të tregosh për Salahaddin Eyyubin ishte më shumë se një ëndërr për ne"

Producenti Emre Konuk tha se janë duke u përgatitur për këtë projekt prej rreth dy vitesh. "Çështja e Kudsit është gjithmonë çështje aktuale, çdo musliman digjet me zjarrin e atij vendi. Prandaj, të tregosh për Salahaddin Eyyubin ishte më shumë se një ëndërr për ne. Në këtë kohë paska qenë e shkruar".

"Vazhdoi ndërtimi i një dekori që do të pasqyronte frymën, ndjenjën e vendit dhe atmosferën e asaj periudhe në një tokë rreth 60 dekarë. Ne bëmë kërkime serioze për kostumet, ekzaminuam gravura dhe u përpoqëm të krijonim një atmosferë që do të ishte e këndshme për audiencën duke shtuar komente me ekipin tonë me përvojë të kostumeve", tha Konuk.

Ai theksoi se të kuptosh Salahaddin Eyyubin do të thotë të kuptosh sot. "Gjendja e tij shpirtërore do të jetë e ngjashme me disponimin e fëmijëve që do të jetojnë pas 50 vitesh në Kuds. Sepse kur lindi, kishte rreth 40 vjet që Kudsi kishte humbur, kështu që ai u dogj nga dashuria e tij për Kudsin dhe veshi një këmishë zjarri për t'ia marrë Kudsin kryqtarëve", tha Konuk.

Duke kujtuar se Eyyubi ishte një komandant i rrallë që lavdërohej në burimet lindore dhe perëndimore, Konuk tha se ai çliroi Kudsin pa derdhur gjak dhe u ofroi liri njerëzve të të gjitha feve.

Duke iu referuar faktit që projekti Salahaddin Eyyubi përkoi me një periudhë të tillë, Konuk tha: "Serialet dhe filmat gjithmonë kanë efektin e shërimit të plagëve të njerëzve. Fakti që seriali Salahaddin Eyyubi përkoi me këtë kohë mund të ketë fat të ngjashëm. Shpresojmë që të mund t'ua shpjegojmë vetëdijen e Salahudinit njerëzve, jo vetëm atyre që jetojnë në Palestinë, por edhe muslimanëve në mbarë botën".

Seriali përfshin shumë aktorë të njohur si Mehmet Ali Nuroğlu, Kaan Çakır, Erdinç Gülener, Tuvana Türkay, Ekin Türkmen, Gökçe Akyıldız, Sezgin Erdemir, Ece Özdikici dhe Seda Yıldız.

Seriali ështe produksion i "Akli Film", projekt i dizajnuar nga Emre Konuk. Regjisor i serialit është Sedat İnci ndërsa skenari është shkruar nga Serdar Özönalan.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın