Fatjon Cuka
13 Qershor 2017•Përditësim: 14 Qershor 2017
TIRANË (AA) - Në sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë është organizuar të martën koncerti me muzikë mistike turke dhe shfaqja Sema, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin artistik të organizuar në një nga sheshet kryesore të kryeqytetit të Shqipërisë performoi artisti Hüseyin Süer, shoqëruar edhe nga artistë të tjerë nga Turqia, ndërsa pjesë e tij ishin edhe përfaqësues të institucioneve turke në Tiranë, artistë shqiptarë, studentë, artdashës, etj.
Në një fjalë përshëndetëse në hapje të programit artistik, drejtori i Institutit "Yunus Emre" në Tiranë, Ömer Demirbaş, theksoi se instituti që ai drejton me aktivitetet e ndryshme që organizon synon krijimin e urave lidhëse mes dy popujve.
Ai ka shtuar se edhe koncerti i organizuar në Tiranë me muzikë mistike turke dhe shfaqja Sema kanë këtë synim.
Ndërsa këshilltarja për kulturën pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Gül Sarıgül, u shpreh se artisti Hüseyin Süer ka ardhur në Tiranë me artistë të tjerë për të performuar një shfaqje interesante.
"Në konceptin e mevlanës kemi një filozofi të thellë, por të thjeshtë, ku i përqafon të gjitha ngjyrat në dashurinë e saj dhe i fton të gjithë ta konceptojnë këtë dashuri, që është e vlefshme dhe e domosdoshme në ditët e sotme. Ka një kuptim të veçantë shfaqja në Shqipëri, një vend ku përveç fesë islame bashkëjetojnë edhe fe të tjera", theksoi Sarıgül.
Aktiviteti u organizua nga Instituti "Yunus Emre" në Tiranë në bashkëpunim me Ambasada e Turqisë në Shqipëri.