Ekip
09 qershor 2020•Përditësim: 10 qershor 2020
Përderisa qeveria spanjolle prezantoi planin e saj mbi atë se si do të duket jeta pas përfundimit të bllokimit, vendi raportoi 84 infeksione të reja nga koronavirusi i ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Numri i infeksioneve të reja është rritur për 48 raste krahasuar me një ditë më parë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në rreth 242 mijë.
Të paktën 21 persona janë infektuar në një spital në krahinën Basque, ku autoritetet aktualisht po testojnë qindra njerëz të lidhur me qendrën mjekësore për ta ndaluar përhapjen e mëtejshme.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve në Spanjë mbetet 27.136, pasi Ministria e Shëndetësisë raportoi vetëm 50 vdekje gjatë javës së kaluar.
Qeveria po ashtu paraqiti vizionin e saj për të ashtuquajturën "normalitet të ri", që do të fillojë pasi gjendja e jashtëzakonshme të përfundojë më 21 qershor. Dekreti është vendosur të miratohet nga parlamenti në ditët e ardhshme.
Maska, që aktualisht kërkohet të mbahen në hapësirat publike ku distanca sociale nuk mund të sigurohet, do të mbetet e detyrueshme edhe në fazën e ardhshme. Kushdo që nuk respekton rregullin do të sanksionohet me një gjobë deri në 100 euro.
Linjat ajrore, trenat, autobusët dhe format e tjera të transportit publik po ashtu do të duhet të ruajnë të dhënat e pasagjerëve për një periudhë prej minimum katër javësh, në mënyrë që autoritetet të mund t'i gjurmojnë udhëtarët në rast të ndonjë shpërthimi.
Për bizneset do të vazhdojnë të zbatohen masat specifike të higjienës për të parandaluar përhapjen e virusit, të cilat duhet të sigurojnë që njerëzit të mbajnë distancën sociale prej 1.5 metrash.
Sistemet e ndryshme të kujdesit shëndetësor do të jenë të detyruar të testojnë të gjitha rastet e dyshimta dhe të vazhdojnë t'i dërgojnë të gjitha të dhënat tek autoriteti qendror shëndetësor i Spanjës.
Ministri spanjoll i Shëndetësisë, Salvador Illa, tha se ai pret që deri më 21 qershor i gjithë vendi të kalojë në këtë "normalitet të ri".
"Këto rregulla do të jenë në fuqi derisa të kemi një terapi efektive ose vaksinë kundër virusit", tha Illa në një konferencë për media.