Koronavirusi

Rusia pretendon prodhimin e një ilaçi që trajton koronavirusin

Drejtuesja e agjencisë, Veronika Skvortsova, tha se meflokina duhet të kombinohet me antibiotikë për efektin maksimal duke mundësuar rritjen e koncentrimit të agjentëve antiviralë në plazmën e gjakut dhe mushkëri

Elena Teslova  | 28.03.2020 - Përdıtësım : 29.03.2020
Rusia pretendon prodhimin e një ilaçi që trajton koronavirusin

Moskë

Rusia pretendon se ka prodhuar një ilaç, bazuar në meflokinë antimalariale, për të trajtuar pacientët që vuajnë nga koronavirusi i ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia Biomjekësore Federale Ruse tha se ilaçi parandalon përsëritjen e koronavirusit në qeliza dhe si rezultat ndalon procesin inflamator të shkaktuar nga ky virus.

Drejtuesja e agjencisë, Veronika Skvortsova, tha se meflokina duhet të kombinohet me antibiotikë për efektin maksimal duke mundësuar rritjen e koncentrimit të agjentëve antiviralë në plazmën e gjakut dhe në mushkëri.

"Kjo do të sigurojë trajtim efektiv të pacientëve me shkallë të ndryshme të infeksionit nga koronavirusi", tha Skvortsova.

Më herët gjatë ditës, qeveria ruse njoftoi 228 raste të reja të konfirmuara të koronavirusit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në vend në 1.264, prej të cilëve gjashtë kanë vdekur.

Në një përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, Rusia ka ndaluar hyrjen e shtetasve të huaj dhe ka anuluar të gjitha fluturimet ndërkombëtare.

Autoritetet po ashtu po shqyrtojnë një ndalim të lëvizjes brenda vendit.

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi i ri është përhapur në të paktën 177 vende dhe rajone. Bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins me bazë në SHBA, deri më tani në të gjithë botën janë raportuar mbi 618 mijë raste të koronavirusit, prej të cilave mbi 28.600 kanë vdekur dhe mbi 135.700 janë shëruar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.